Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka realizuar vizitën e radhës në Shqipëri. Kjo vizitë, disa orësh, pason atë të 17 Janarit të vitit 2022.

Në aeroportin e Rinasit kreu i shtetit turk bashkëshortja Emine dhe delegacioni që i shoqëron u pritën nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Nën masa të forta sigurie Presidenti Erdogan dhe delegacioni shoqërues iu drejtuan Presidencës ku homologu shqiptar Bajram Begaj kishte rezervuar një pritje solemne me ekzekutimin e himneve kombëtare të të dy vendeve.

Pas takimit me Presidentin Begaj ishte kryeministri Rama që në hyrje të selisë së qeverisë kishte dalë për të pritur presidentin.

Rama dhe Erdogan drejtuan mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve ku u nënshkruan edhe 3 marrëveshje, në fushën e sigurimeve në bujqësi, ajo për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike e Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri si dhe memorandumi i Mirëkuptimit mes Agjencisë shqiptare për Media dhe Informim dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke. Marrëveshja për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në Janar të vitit 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në Shkurt të këtij viti.

Pas takimit të dytë të këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë Presidenti Erdogan dhe kryeministri Edi Rama u zotuan për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ejvallah! Jam vërtetë shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm konfirmuam vendosmërinë për ta forcuar më tej karakterin strategjik të këtij bashkëpunimi por edhe mundën të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra si edhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje.

Turqia i ka dhuruar vendit tonë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë. Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.

Erdogan kërkoi që të jetë më efikase lufta kundër anëtarëve të organizatës FETO në Shqipëri.

Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë: Ne diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO-s me mikun rim të dashur kryeministër, zotin Rama. Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot.

Liderët ndanë mendimet e tyre edhe për luftën në Gaza

Recep Tayyip Erdogan, president i Turqisë: Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të agjendës së takimit tonë. Unë ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanyahu të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej 1 viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur, bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori, në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm. Shqipëria dhe Turqia synojnë të rrisin vëllimin tregtar në 2 mld Dollarë.

Klan News