Kombëtarja barazoi në ndeshjen e dytë në Euro 2024. Ndaj Kroacisë në fakt kuqezinjtë humbën 2 pikë. Shqipëria kaloi në avantazh që në minutën e 11-të me Qazim Laçin. Një aksion i qartë që përfundoi me sukses.

Një ritëm i lartë në pjesën e parë të takimit me shumë raste nga ana e Shqipërisë, por që fati nuk ishte me futbollistët kuqezi.

Asllani dhe Manaj patën momentet më të pastra.

Në pjesën e dytë u shfaq një Shqipëri krejt ndryshe. Futbollistët u mbyllën në mbrojtje, duke i lënë më shumë terren Kroacisë.

Në këtë situatë Modriç dhe shokët e tij organizuan aksione dhe raste, ndërsa Shqipëria priste të largonte topat e të shmangte rrezikun. Kjo ndodhi deri në minutën e 74, kur erdhi goli i parë me Andrej Kramariç, i cili kaloi topin poshtë këmbëve të Hysajt.

Në një tjetër aksion të kroatëve erdhi edhe goli i dytë. Hysaj nuk e mbrojti siç duhet topin dhe për inerci të vrapimit u rrëzua. Kjo i dha mundësinë kroatëve. Pas dy përplasjeve topi përfundoi në rrjetë, si autogol i Gjasulës.

Teksa loja shkonte drejt minutës së 90-të, Shqipëria u rikthye agresive derisa erdhi goli i barazimit nga Gjasula, që vuri ekuilibrin në rezultat, në skuadër dhe personalisht me autogolin që shënoi aksidentalisht. Ishte minuta e 5 shtesë.

Në fund kroatët u trishtuan, ndërsa Shqipëria iu gëzua pikës së vetme, teksa ishin kuqezinjtë që duhet të ishin të përgjegjshëm se humbën dy pikë.

Tv Klan