Morina: Duhet sigurim i detyrueshëm për security dhe policët

Në shenjë nderimi ndaj Arjan Salës, që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar 22 punonjësit e një qendre tregtare, Grupi Eurosig-Insig dhe UBA Bank do t’i dhurojë familjes së tij një çek prej 10 000 dollarësh. Presidenti i Grupit, Kadri Morinaj, e quajti aktin e 32-vjeçarit si sublim, që meriton të kujtohet ndër dekada.  

“Akti i shefit të security në zjarrin e rënë tek një qendër tregtare ishte një akt heroik, sublim dhe i pashembullt, mund të themi në dekada. Arjan Sala ishte ai që shpëtoi 22 jetë njerëzish duke sakrifikuar jetën e tij. Përmes këtij çeku ne nuk mund të lehtësojmë dhimbjen shpirtërore të familjes, por të paktën t’i ndihmojmë në nevojat ekonomike”, tha ai.

Morina bëri thirrje që të sigurohet jeta e çdo punonjësi sigurie dhe po ashtu për të gjithë efektivët e policisë.

“Të bëhet sigurimi i punonjësve të sigurity. Sigurimi i policëve duhet të jetë i detyrueshëm pasi janë ata që përballen çdo dite me vrasësin, me hajdutin, janë heronj pasi rrezikojnë jetën e tyre. Duhet të bëhet sigurimi për familjet e tyre”.

Një thirrje ia drejtoi Parlamentit shqiptar që të miratoi sa më shpejt ligjin e detyrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.

“Tashmë është domosdoshmëri që sa më shpejt të jetë e mundur Parlamenti i ri duhet të miratojë ligjin e detyrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore, siç janë zjarri, përmbytjet dhe tërmetet, ku vetëm 3 muajt e fundit kemi patur mbi 20 raste zjarri në Shqipëri dhe mbi 5 viktima”.

Presidenti i grupit Eurosig-Insig dhe UBA bank përgezoi aprovimin e ligjit të mjeteve motorike.

Tv Klan