Në prag të falimentimit nga çmimet e ulëta

Ky punëtor në Lushnje paguhet vetëm për të pastruar serën me trangull dhe për t’i hedhur më pas në kanal. Mundi i 4 muajve ka shkuar dëm pasi tregu vendas është i mbingopur.

“Po e shkulim, po e hedhim, ça t’i bëjmë, s’kemi ku ta shesim”.

Fermerët thonë se çmimi që ofrohet për kilogramë nuk mbulon as kostot e tyre minimale.

“1 arkë me 25 kilogramë kushton 2000 lekë të vjetra, që do të thotë se ne punojmë nën kosto”.

“E kemi hedh në fshatin Lekaj në kanal, gati 5 kuintal. Nuk blihet, nuk shitet, kam të tjerat në serë”

Problemi përsëritet çdo vit. Zgjidhje nuk ka, por as subvencionime.

“Patëm domaten e hodhëm, s’shitëm hiç vitin e kaluar”.

“Të paktën të subvencionohemi nga shteti”.

Vetëm në fshatin Hyzgjokaj prodhohet gati 700 mijë ton në vit trangull dhe domate. Po në një kohë që fermerët detyrohet t’i hedhin në plehra produktet e stinës apo t’i shesin për fare pak para, kryeqytetasit i bëjnë në treg me çmim disa fish më tepër.

Prodhim vendas?

-Po

Ku e merr prodhimin?

-Në Kashar.

Sa e shet kastravecin?

-1000 lekë të vjetra.

Sa e ke marrë?

Po herë me 600 herë, me 800 kilen, mua 200 lekë më bën kostoja e transportit.

Sipas tregtarëve të pakicës janë pikat e shumicës që përcaktojnë çmimin e mallit, që më pas i detyrohen ata të japin një kosto të lartë për konsumatorët.

Fermerët janë dorëzuar përballë çmimeve që u ofrojnë grumbulluesit sikundër konsumatorët fundorë, përballë çmimeve të larta të tregtarëve.

Ajo që mbetet e paqartë është mbikëqyrja e autoriteteve për të rregulluar kërkesë-ofertën e për të bërë ndëshkimin e zinxhirit abuzues.

Tv Klan