“Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017”, ka qenë ky konstatimi i një raporti të deklasifikuar nga inteligjenca amerikane. Në lidhje me këtë çështje është pyetur dhe Kryeministri Rama mbrëmjen e sotme në emsionin “Opinion” që po zhvillohet nga New York. I pyetur se ka zëra që e ka mbyllur kryeministri Rama këtë çështje, ai e ka hedhur poshtë një aludim të tillë teksa ka shtuar se e ka denoncuar që në fillim.

Edi Rama: Në studion tuaj, ju keni bërë një emision ku keni ballafaqur këtë fakt të bërë publik në atë kohë për të cilin u fajësua Sorosi bashkë me mua dhe Ballën dhe në studion tuaj është dëgjuar një rrëfim për shqiptarët të mbledhur në Amerikë për të shpëtuar kombin.  

Zëra ka për gjithçka në Shqipëri. Këtë çështje ne e kemi denoncuar publikisht, jemi përqeshur publikisht nga ata që duhej ta çonin më tutje hetimin e çështjes në funksion të publikut.

Çfarë dijenie mund të kem unë apo njerëzit e mi për një proces i cili është hapur si rezultat i denoncimit të bërë prej nesh duke u bazuar në burime informacioni të huaja. Ndërkohë që në procesin e hetimit nga ana e drejtësisë nuk ka pasur transparencë.

Është një nga ato çështjet që kanë bërë mu në atë kohë dhe për të cilat kanë kontribuar dhe kontribuojnë një pjesë e rëndësishme e debatit që merren me regjimin dhe për të mundur regjimin imagjinar, janë gati të mbulojnë çdo gjë tjetër.

Ne nuk kemi nevojë të marrin informacione të tjera sepse e dimë për çfarë bëhet fjalë. Çështja është e qartësuar. Gjithçka është aty dhe faktikisht sot kjo çështje është kthyer në skenën politike për t’u përdorur si guri i radhës për t’u vrarë mes vete në të ashtuquajturën PD. Njerëzit që i vunë gjoksin në atë kohë Bashës, sot flasin për sofwarë të zhdukur.

Gjatë fjalës së tij përballë gazetarit Blendi Fevziu, Kryeministri Rama është shprehur se nuk ka asnjë arsye të mbyllë asnjë çështje teksa ka shtuar se nuk ka nevojë që të përdorë askënd pasi sipas Kryeministrit Rama janë të papërdorshëm dhe nuk i duhen asnjërit.

Edi Rama: Çështjet i investigon Prokuroria. I takon drejtësisë si mund ta adresojë këtë çështje. Provat janë aty. Sot është dita për t’i kërkuar ndjesë Ballës, Spiropalit kur nxorrën fakte. Këtu bëhet fjalë për një financim ilegal. E vetmja parti është PD dhe ky financim ka qenë i ditur nga të gjithë dhe e kanë mbrojtur të gjithë që nga “non grata” i madh dhe tek Lulzimi i shkretë.

Unë s’kam asnjë arsye të mbyll çështje. Dhe nuk kam nevojë të përdor askënd sepse të gjithë janë të papërdorshëm dhe nuk i duhen asnjërit.

Çështja e financimeve ruse është delikate dhe financimi i PD me para ruse është një çështje që nuk është më që mund të kalojë duke përqeshur PS apo duke ia lënë Sorosit siç i lihen të gjitha hallet që vijnë. Kryeministri nuk bën investigime. Kjo është një çështje që duhet zbardhur deri në fund nga drejtësia.

Kush ka sy për të parë shikon dhe kupton se PD është financuar në mënyrë ilegale me para që vijnë nga burime që nuk kanë asnjë interes për mirëqenien e vendit tonë. Për financimin ilegal të PD kanë pasur dijeni të gjithë ata që janë ndarë në virgjëresha që mbrojnë Shqipërinë nga rusët./tvklan.al