Me një këngë rrënqethëse dhe një interpretim që i rrëmbeu zemrat jo vetëm publikut, por edhe artistëve të tjerë që e votuan, Flori Mumajesi është triumfuesi i edicionit të 20 të Këngës Magjike me baladën “Plas”.

Pas një nate të mbushur plot emocione, Flori ia dedikoi këtë fitore publikut të tij, dashurinë e të cilit ai thotë se e ka ndjerë që në daljen e parë.

“Publiku ma dha çmimin mua që natën e dytë, e ndjeva në energji, rrjete sociale. Unë nisem nga një ndjesi kur krijon dhe këtë kenge kam dashur ta ruaj të kristalizuar”.

Në vend të dytë, kënga që çoi në këmbë jo vetëm publikun, por “cmendi” edhe balerinët e Mediaset, dueti i Aurela Gaçes me Eli Farën me këngën “Zemra rratatata”.

Ndërkohë Fifi dhe Mc Kresha fitues të çmimit të tretë me këngën që u kthye në hit menjëherë pas publikimit, “Psikopatja ime”.

Çmimi i televizionit Klan shkoi për këngën e Klajdi Harunit “Nuk të dua dot më pak”.

Fituesja e “Gjeniut të Vogël 5” Iris Neziri, rrëmbeu çmimin për duetin më të mirë së bashku me Flor Nazifin, “Fli në krahët e mi”.

Çmimi i produksionit ‘Jon Music’ u fitua nga Kejsi Tola, ndërsa Era Rusi me baladën “Mos ma merr” tregoi anën e saj interpretative duke bindur jurinë për çmimin “Interpretimi më i mirë”.

Venera Lumani u cilësua si vokali më i bukur femëror, vokali më i mirë mashkullor Mentor Haziri, dhe Ëendi Mancaku mori çmimin si artisti i ri më i mirë.

Duke tërhequr përherë vëmendjen për performancat e saj të veçanta, Ronela Hajati këtë vit arriti të fitonte çmimin si “Performanca më e mirë” për këngën e saj “Vuaj”.

Rozana Radi mori “Çmimin e Kritikës”, “Çmimi stil” u fitua nga Rovena Dilo dhe Onati, dhe “Çmimi EtnoTrend” nga Artiola Toska dhe Bruno.

Dy italianët Manuel Moscati dhe Matteo Becucci u vlerësuan me ‘Çmimin Euro Trend’, Revolt Klan si “Grupi më i mirë”, ndërsa çmimi “Magjia e parë” shkoi për Olsi Bylykun dhe Lorenc Hasramën.

Me “Mos Urre” Erik Lloshi fitoi çmimin  “Çesk Zadeja”, Ardit Çuni dhe Daniela Toçi fituan “Çmimin e RTV21”, ndërsa çmimi “Best to invest” shkoi për këngën “Akull” e kënduar nga Krusita.

Ky edicion i “Këngës Magjike” solli më më të fuqishme se asnjëherë kategorinë e artistëve të rinj që u përfaqësua nga 26 konkurrentë, ndërsa këngëtarët e njohur që i përkisnin kategorisë “Big” ishin 23.

Për tre ditë me radhë, e transmetuar drejpërsëdrejti në ekranin e televizionit Klan, “Kënga Magjike” mbajti mbërthyer familjet shqiptare duke dhuruar spektakël, emocione dhe humor.

Teksa skenën e ndau me Bora Zemanin, Klaudia Pepën, Valbona Selimllarin, Olta Gixharin, Armina Mevlanin dhe Elia Zaharian, Ardit Gjebrea ju rikthye pasionit të tij të hershëm, këngës. Dueti me Saimir Pirgun ishte ishte një nga surprizat e mbrëmjes.

Klaudia Pepa kishte ruajtur një numër të veçantë për natën finale të këtij jubileu të “Këngës Magjike”, të cilin e performoi me trupën e baletit të rrjetit gjigand Mediaset, të cilët i kanë dhënë ndriçimin e tyre për tre netë skenës spektakolare të Pallatit të Koncerteve.

Magjia e këtij festivali i kaloi kufijtë e Shqipërisë, duke tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve të rrjeteve sociale të EuroSong, dhe “Wiwi blogs”, që nëpërmjet shkrimeve të tyre i bënë një pasqyrim të denjë këtij spektakli jashtë vendit tonë.

Ashtu siç u premtua, madje edhe përtej çdo imagjinate, edicioni i 20 i “Këngës Magjike” e bëri jehonën e vet, me performancat e jashtëzakonshme të artistëve pjesëmarrës, në një skenë madhështore të ndriçuar si kurrë më parë dhe me një spektakël të kuruar në çdo detaj që pa brohoritjet dhe duartrokitjet e publikut shqiptar deri në sekondat e fundit.

Tv Klan