Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e para të mëngjesit të sotëm, inspektoi Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Morinë, e cila po përballet me një fluks të hyrjes së turistëve nga Kosova.

Policia kufitare ka marrë masa shtesë me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit, teksa Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.

Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri.

Gjithashtu ai ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.

Gjate inspektimit, Veliu ka takuar edhe punonjësit e Policisë kufitare të Kosovës.

 Bregdeti i Shqipërisë vijon të mbetet destinacioni kryesor për turistët e ardhur nga Kosova. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë mëngjesit të sotëm ka patur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e para të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas./tvklan.al