Veliaj: Ata që sot kërkojnë vota kundërshtonin investimet

Përfundon ndërtimi i tregut të ri agroushqimor, AgroPark në farkë. Gjatë inspektimit të këtij investimit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ndërtimi i këtij tregu i ngritur pranë unazës së madh, u kundërshtua nga opozita.

“Jemi mu në buzë të autostradës, Unazës së Madhe të Tiranës, mes Lundrës dhe Farkës, dhe për të gjithë ata që kundërshtonin Unazën, që protestonin tek Astiri, sot kërkojnë vota, por duhet t’i thonë publikut se çfarë ndodhi me vitet që humbëm kohë kot. Kohën s’e kthen dot askush dhe kur ne bllokohemi me vite të tëra, ndërkohë që vetëm hapja e këtij segmenti të Unazës ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme”.

Sipas Veliaj, investimet e Bashkisë së Tiranës janë përqendruar si në periferi edhe në qendër. Më herët kryebashkiaku Veliaj inspektoi punimet infrastrukturore në njësinë nr. 2.

“Më vjen mirë që në aksin e rrugës kryesore po bëjmë një investim kapital, që lidh dy rrugë: rr. “Mihal Grameno” me rr. “Bako Dervishaj”, dhe del me një kalim te zona e Thesarit, për t’u bashkuar me rrugën e Elbasanit. Në momentin që flasim po punojmë në 60-70 kantiere paralele në Tiranë. Edhe në qytet, për sa kohë po punojmë në gjithë këto kantiere, do duhet të na jepet mirëkuptim derisa t’i kryejmë këto punë”.

Së shpejti në Njësinë 2 pritet të ndërtohen edhe dy shkolla të reja, duke e çuar në 7 numrin e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në këtë zonë.

Tv Klan