Kryeministri Edi Rama i kërkoi Asamblesë së Këshillit të Europës në një fjalim të gjatë që të zhbëjë raportin e Dick Marty për krime lufte në Kosovë.

Në Strasburg ndodhet gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, e cila ka raportuar se cilat ishin momentet kryesore të fjalës së kryeministrit Rama në Asamble.

“Ishin disa në fakt, ishte një përsëritje pak a shumë atyre që u thanë në parlamentin shqiptar në muajin Korrik kur u miratua rezoluta që i kërkonte Asamblesë së KiE të zhbënte rezolutën e 2011-s së bazuar mbi raportin e zvicerianit Dick Marty. Sipas Ramës ai raport është i mbushur me plot të pavërteta që në këto 11 vite nuk kanë mundur të provohen. Edhe teknikisht sipas tij nëse do të kishte ekzistuar kjo “Shtëpi e Verdhë” që pretendohet se është në zonën e Burrelit në Shqipëri, nuk ishte i mundur transplanti për shkak të kushteve që ndodhej ajo zonë. Nuk kishte elektricitet, nuk kishte infrastrukturë. Duke u nisur vetëm nga një fakt i thjeshtë sipas tij është e pamundur të besosh një raport të tillë. Ishin disa pikat ku ai u ndal, por të gjitha arrinin në konkluzionin që Këshilli i Europës duhet të vendosë në vend nderin e tij sepse me këtë raport ka baltosur luftën e drejtë për liri të popullit të Kosovës”, raportoi Zotka.

Pas fjalës së kryeministrit pati reagime në sallë.

“Ishin të shumtat reagimet dhe ishin të pritshme. Ne e dimë që kryeministri Rama jo vetëm në Shqipëri, por edhe në forume të tjera ndërkombëtare kur merr pjesë, pothuajse në pjesën më të madhe të kohës shkakton debate me fjalimet e tij, ka reagime të shumta dhe besoj është brenda kostumit të tij. Por reagimet mendoj se ishin qëndrimet që përfaqësonin shtetet që prekeshin në fakt. Serbia ishte i pritshëm. Kjo rezolutë ka të bëjë drejtpërdrejtë me Serbinë që lidhet me luftën në Kosovë. I pritshëm, për mua të paktën ishte edhe reagimi i përfaqësuesit të Zvicrës sepse në këtë rezolutë të Shqipërisë kërkohet të amendohet një raport i një zviceriani si Dick Marty. Të gjitha shtetet, edhe ato që nuk iu referuan vetëm raportit, por edhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me Shqipërinë, siç ishte Greqia që merakun më të madh e kishte tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë. Pra të gjitha vendet sollën në mbledhjen e sotme interesat e vendeve të tyre”, u shpreh gazetarja./tvklan.al