“29-vjeçari Ramazan Sino sapo kishte parkuar makinën e tij në oborrin e shtëpisë së Gentian Bejtjës pas krahëve të mi, kur persona të paidentifikuar e lëshuan breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur në vend. 29-vjeçari ishte i shoqëruar me dy nipërit e tij, djem të Gentian Bejtjes të cilët gjithashtu si pasojë e plumbave mbetën të plagosur”, raporton nga terreni gazetari i Tv Klan, Merin Maçi.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:15 minuta në zonën e Larushkës në Fushë-Krujë. Shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Gentian Bejtja, kunat i viktimës, që shihni së bashku në këtë foto megjithatë plumbat nuk kursyen askënd.

As dy djemtë e mitur të objektivit, përkatësisht 13 dhe 10 vjeç të cilët si pasojë e plagëve të marra vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.

Në vendngjarje policia ka sekuestruar 28 gëzhoja, ndërsa dyshimet janë se vrasja të jetë kryer nga 3 persona, 2 në rolin e qitësit dhe 1 në atë të shoferit të makinës tip Volksëagen e cila 30 minuta pas ngjarjes u gjet e djegur në zonën e Tapizës.

Në brendësi të saj grupi hetimor gjeti dhe 3 armë zjarri kallashnikov. Deri në këtë fazë të hetimit dyshimet e policisë janë se autoret kanë pritur pranë banesës së Gentjan Bejtjes për finalizuar atentatin, ndërsa makina ku është survejuar nga persona të tjerë.

Nuk përjashtohet mundësia që shënjestra e këtij atentati, Gentian Bejtja të ketë qenë në automjetin e viktimës dhe të ketë zbritur rrugës.

Hetimet e policisë kanë përjashtuar si pistë që 29-vjeçari Ramazan Sino, shofer pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë të ketë qenë objektiv i këtij atentati.

Nisur nga e shkuara kriminale policia dyshon se personi i cili kërkohej të  ekzekutohej ka qenë Gentian Bejtja. Ky i fundit më herët i ka shpëtuar dy atentateve.

Gjithashtu emri i tij është përfshirë dhe në hetimet për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, në Nëntor të 2013.

Nga verifikimet e kryera shënjestra e atentatit dy ditë më parë ka qenë në banesën e tij, teksa mësohet se prej rreth 1 viti ishte zhvendosur në Holandë.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen policia po kërkon ta marrë në pyetje vetë Gentian Bejtjen, vendndodhja e të cilit nuk dihet.

Sakaq po për ngjarjen dëshmi i është marrë disa personave, mes të cilëve dhe emra të njohur policinë, të cilët më parë kanë patur konflikte me Gentjan Bejtjen.

Tv Klan