Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi dhe ato të FNSH-së i shkuan në ndihmë këtë të mërkurë një turisteje gjermane, e cila mbeti e bllokuar gjatë mesditës në kanionin e Gjipesë. Pas 6 orësh kërkimesh në një terren shumë të vështirë dhe të rrezikshëm, turistja u lokalizua dhe u nxor nga kanioni në gjendje të mirë shëndetësore.

“Mesditën e sotme, shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi morën njoftim se një turiste gjermane, duke eksploruar kanionin e Gjipesë, Himarë, kishte mbetur e bllokuar për shkak të terrenit të vështirë dhe nuk mund të dilte nga kanioni. Menjëherë pas njoftimit, në drejtim të kanionit u nisën shërbimet e Policisë së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Si rezultat i kërkimeve, u bë e mundur lokalizimi dhe nxjerrja nga kanioni e turistes, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte pësuar dëmtime”, tha policia e Vlorës në një njoftim për mediat.

Autoritetet apelojnë qytetarët dhe turistët, në rast emergjencash ose kur kanë nevojë për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. “Shërbimet e Policisë janë gjithmonë në gatishmëri për t’ju ndihmuar dhe për t’ju siguruar në çdo moment dhe në çdo vend!”, thotë policia në njoftim./tvklan.al