Arjan Malko, alias Erjon Malko, alias Erjon Fejzulla u ekstradua këtë të mërkurë nga Abu Dhabi drejt vendit Shqipërisë, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

“Policia e Shtetit realizon një tjetër operacion të suksesshëm për sjelljen në Shqipëri të personave në kërkim ndërkombëtar. Sot më datën 21.08.2024, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, nga strukturat e specializuara dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale është realizuar operacioni policor për sjelljen nga Abu Dhabi në Shqipëri e shtetasit në kërkim ndërkombëtar Arjan Malko, alias Erjon Malko, alias Erjon Fejzulla”, thuhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.

Po sipas kësaj të fundit, Malko është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Hetimeve të Torinos në Itali ka lëshuar masën e sigurisë personale urdhër “Arrest në burg” më dt.11.04.2024, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga legjislacioni penal italian, i cili parashikon maksimumin e dënimit me 20 vjet./tvklan.al