Presidenca ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për pushimin e çështjes ndaj ish-kreut të KED, Ardian Dvorani, ish-ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe vartësve të saj. Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, e quan vendimin e gjyqtarit të papranueshëm dhe thotë se do të ankimohet.

Blushi shprehet se rëndësia e kësaj çështjeje nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë dhe as me hetime të cekëta. Sipas zëdhënësit, edhe Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK. Kujtojmë që SPAK kërkoi në gjykatë pushimin e çështjes.

Postimi i plotë:

U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj.

Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është I PAPRANUESHËM dhe do të ANKIMOHET sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.

Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë.

Faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar.

Rëndësia e kësaj çështjeje, pikërisht për shkak të cenimit të besimit të publikut tek Drejtësia, nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë, dhe as me hetime të cekta, që derivojnë nga thelbi i çështjes.

Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK.

Mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre.

Drejtësia ka ende kohë për të folur!

E ardhmja u takon të vërtetave!/tvklan.al