I paqartë statusi i thirrjes për kreun e BDI-së

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Kosovë, Kristofer Benet, ka deklaruar se derisa nuk dorëzohet akuza, nuk mund të thuhet përse dhe në ccfarë cilësie është thirrur lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Ai ka theksuar se Prokuroria Speciale në Kosovë dhe Gjykata nuk japin detaje për opinionin deri në zgjidhjen përfundimtare, as që dihet kush është i akuzuar dhe kush është dëshmitar dhe se kjo rregull vlen edhe për Ahmetin.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka konfirmuar se është thirrur të dëshmojë para Prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Kosovë më 2 dhe 3 Shtator. 

Më 22 Korrik, Ali Ahmeti publikoi se ka marrë ftesë nga Prokuroria Speciale për Kosovën në Hagë të dëshmojë si një nga themeluesit e UÇK-së dhe anëtar i Shtatmadhorisë.

“Pa hamendje, pranova ftesën dhe kam realizuar kontakte konstruktive dhe bashkëpunim me persona zyrtar në Hagë”, kishte shkruar Ali Ahmeti në Facebook.

E mërkura e ardhshme 2 Shtatori është data kritike, duke marrë parasysh se është afati i fundit deri kur mandatari Zoran Zaev duhet ta dorëzojë në parlament përbërjen e re qeveritare, datë kjo që përputhet edhe me dëshminë e Ali Ahmetit në Hagë.

Klan Macedonia