Lajme Arkiva 2003

Procesi gjyqësor për skandalin e pasaportave pati si dëshmitarë dy përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ata e kanë bërë të parët denoncimin për parregullsi nëzhvillimin e tenderit të pasaportave ku si pasojë sipas pretendimit të tyre buxheti i shtetit ka pësuar dëm ekonomik.

Pikërisht për shumën e dëmit ka pasur debat mes të pandehurit Bujar Himçi, ish zëvendës Ministri i Rendit dhe kryetari i komisionit të tenderit dhe dëshmitarit Muhamed Kavaja.

Zoti Himçi kërkoi të dinte cili nga tre aktet e kontrollit të kryer nga KLSH tregonte dëmin real të shtetit. Dëshmitari u përgjigj se institucioni i tij mund të bëjë aq akte kontrolli sa e shikon të nevojshme dhe më pas të nxjerrë konkluzionet përfundimtare.

Secili nga tre aktet e hartuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit  nxjerr si dëm ekonomik shuma me diferencë mjaft të madhe nga njëra tjetra. Nga kontrolli paraprak ka dalë se dëmi është 285.000 Dollarë në një tjetër mbi 2.000.000 Dollarë ndërsa në një tjetër në mbi 1.000.000 Dollarë.

Lidhur me atë që ekspertët e kanë cilësuar si favorizim të firmës gjermane në tender, ish zëvendës ministri Himçi sqaroi se nga ofertat e paraqitura nga katër firmat konkurruese ajo gjermane kishte të përfshirë edhe TVSH, ndërkohë që firma franceze FTS ofroi një shumë më të ulët, por kur nuk përfshihet kjo taksë./tvklan.al