Përpara disa vitesh takat përbënin detyrimisht shëmbëlltyrë për feminilitetin shqiptar.

Atëherë kur edhe makinat ishin më të pakta femrat shqiptare mund të barisnin nëpër rrugët e Tiranës kilometra në këmbë në majë të takave, por edhe tek ne nga viti në vit takat po i humbin trokëllimat e forta mbi trotuare sepse po zëvendësohen me sandalet apo këpucët e sheshta.

 “Nuk para eci shumë me taka. Vetëm kur kam, kur dal për qejf se tani jam për punë edhe prandaj.”

“Në shkollë nuk i mbaj takat, vetëm kur dal mbasditeve”.

Por pavarësisht kësaj ka dhe mjaft që e kanë të vështirë të heqin dorë nga huqi i vjetër.

Është mbasdite. Njerëzit nisin të dalin shëtitje, por edhe pse janë pa makina këto vajza duken se do të bëjnë jo pak rrugë në këmbë me taka të larta.

“Faktikisht shoh që vajzat rrinë shumë me taka të larta. Do më pëlqente shumë në ndonjë mbrëmje apo në një festë, po kur i shoh kështu rrugës kot që kanë dalë për pazar dhe me taka shumë të larta më duket sikur e torturojnë veten.”

 “Më bëri një ditë përshtypje një police me taka shumë të larta që ikte me kujdes se mos i zinte taka me ndonjë nga këto dhe i thyhej. Ajo ishte për shërbim apo për vizita?

A ndjehen edhe pa taka po aq femërore?

“Në kohën time uhuu, unë kam një çun 23 vjeç, kështu që në atë kohë kanë qenë parë këto gjëra”.

Por jo vetëm femrat kanë pësuar revolucion. Jo më pak meshkujt e kanë pasur apo kanë tabu përdorimin e sandaleve dhe shapkave në vend të këpucëve apo atleteve.

Gazetarja: Nuk mendoni të përdorni sandale në vend të këpucëve?

“Po ne shqiptarët jemi mësuar si në të nxehtë, si në të ftohtë vish ça të duash. Do e përballojmë, do kalojmë.”

Gazetarja: Keni të vështirë atë mentalitetin ndoshta që…?

“Jo, unë më tepër jam sportiv.”

Gazetarja: Nuk keni vapë?

“Do ti, s’do ti, vapë është”.

Gazetarja: Po pse nuk i hiqni këpucët atëherë?

“Po të dal zbathur?”

Gazetarja: Po me shapka.

“Ç’ndryshim ka nga njeriu nga kafsha? Dal zbathur, jam në rregull”.

Ajo që stilistët dhe psikologët kudo në botë këshillojnë për veshjet është që ato të përmbajnë mbi të gjitha rehati, prakticitet, patjetër edhe bukuri dhe mbi të gjitha të jenë në dobi të shëndetit. Çdo gjë kundër kësaj logjike duhet të mbetet pas./tvklan.al