Nisma ligjore parashikon monitorimin e nënkontraktorëve

Kompanitë e mëdha të cilat punojnë në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve, kryesisht në kërkimin e naftës, do të detyrohen që të paguajnë tatim mbi fitimin në masën që ata e kanë të përcaktuar në kontratë, 50%.

Një projektligj i miratuar nga Këshilli i Ministrave me të cilin është punuar prej vitesh me Fondin Monetar Ndërkombëtar vendos një regjim të ri fiskal në fushën e lëndëve djegëse, duke ndaluar që kompanitë të përfitojnë nga ulja e taksave në kohën që zgjedhin të mbajnë regjimin fiskal të rënë dakord në kontratë.

Nisma ligjore po ashtu përfshin tatimin me sistemin e ri edhe të nënkontraktorëve të këtyre shoqërive, ku me vendim të Këshillit të Ministrave do të përcaktohet pjesa se si do të tatohen firmat që punojnë me grosistët e hidrokabureve dhe për çfarë të ardhurash do të tatohen me normë më të lartë.

Aktualisht në Shqipëri kompanitë e mëdha në prodhimin e naftës deklarojnë shpenzime të larta, çka ka bërë që prej vitesh të mos paguajnë tatim-fitim, i cili ndahet përgjysmë me shtetin shqiptar.

Në kontrast me këtë situatë, nënkontraktorët e firmave të nxjerrjes së naftës deklarojnë fitime të larta, për shkak të punëve që kanë kryer për to.

Tv Klan