Një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert në ditën e parë të këtij viti shkollor është edhe gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” në Berat. Krahas personaliteteve të fushave të ndryshme që kanë dalë nga kjo shkollë, në ceremoninë e inaugurimit të saj mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili teksa përshëndeti të pranishmit u ndal te investimet që janë bërë ndër vite nga qeveria shqiptare.

“Në këto 11 vjet ka ndërhyrë në infrastrukturën shkollor qoftë për ndërtime të reja, qoftë për procese rikonstruksioni më shumë sesa është ndërhyrë në afro 45 vjet.”

Në kuadër të sigurisë së nxënësve, Rama tha se në projektin e monitorimit me kamera të rrugëve, qyteteve dhe hapësirave publike që do të jetësohet vitin e ardhshëm do të përfshihen edhe shkollat.

“Do shkojë deri në qelizë… Nuk është thjesht një projekt sigurie për fenomenet kriminale apo ndërhyrje nga jashtë, por një projekt sigurie kundër bullizmit, kopjeve apo kundër braktisjes së mësimit, apo kundër kthimit kurrizit të ndonjë mësuesi nga nxënësit…”

Kryeministri bëri edhe një ftesë për ripërfshirjen në arsim të mësuesve që kanë dalë në pension.

“Mund t’i ftojmë të angazhohen në orare t# reduktuar në një përkujdesje të veçantë që ka të bëjë me mbikëqyrjen dhe lehtësinë që duhet të ketë në aspektin e komunikimit procesi i punës së nxënësve të arsimit profesional në ndërmarrje si pjesë e sistemit dual që ne po thellojmë dhe që është një domosdoshmëri.

Paga mesatare prej 950 eurove sipas Ramës këtë vit ka ndikuar ndjeshëm buxhetin e mësuesve.

“Një pagë tanimë në nivelin e vendeve më të përparuara.”

Një nga sfidat në arsim mbetet mbrojtja e gjuhës shqipe, së cilës thotë Rama do t’i kushtohet një vëmendje më e madhe.

Tv Klan