Vadim Morus, një patinator profesionist u largua nga Rusia me të fejuarën e tij në vitin 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë. Ai u zhvendos në Serbi në atë vit dhe tani ka filluar të ndihet si në shtëpinë e tij.

Përshtatja me jetën e re për të ka qenë e lehtë.

“Në fakt, të jetosh këtu rezultoi e lehtë për mua sepse jam një patinator profesionist dhe siç doli unë jam i vetmi në vend. Në ditën time të parë në pistën e patinazhit, kur fillova punën, njerëzit u afruan menjëherë duke më kërkuar t’i ndihmoj fëmijët e tyre me trajnime dhe unë thashë ‘natyrisht’ dhe për këtë arsye, që në fillim, fillova të takohem me serbët dhe të krijoja njëfarë ndërveprimi me ta.

Patinatori rus hezitoi të argumentonte arsyet e largimit nga Rusia, por ndërhyri e fejuara e tij Alexandra Mashkanova.

“Ne jemi larguar qëllimisht; mund të them për arsye ideologjike. Për disa ditë pas 24 shkurtit, ne po përpiqeshim të kuptonim se çfarë po ndodhte dhe në mars vendosëm të largoheshim. U larguam në mes të majit dhe dy muajt e parë jetuam në Shqipëri, më pas nga mesi i korrikut mbërritëm në Serbi dhe siç ndodhi u ndjemë shumë të qetë dhe të sigurt dhe vendosëm që ky vend është i shkëlqyer dhe duhet të qëndrojmë.”

Nga ana tjeter Viktor një veteriner nga Shën Petersburgu, iku nga vendlindja e tij në vjeshtën e vitit 2022. Pa kualifikimet e nevojshme për të ushtruar profesionin e tij në Serbi, ai ka gjetur një tjetër punë në Beograd, duke u shërbyer veçanërisht rusëve.

“Unë jam hidraulik, bej instalime elektrike, dritare dhe madje mobilje. Nuk kam nevojë vërtet për klientët serbë,” thotë 42-vjeçari , i cili kërkoi të mos bëhej publik nga frika e sigurisë së familjes së tij në Rusi.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt te 2022, rusët që largohen nga konflikti, ose politika e Presidentit Vladimir Putin, kanë krijuar një komunitet në Serbi.

Numri aktual i rusëve në Serbi është më i vogël se ata që kanë ikur në vende të tilla si Gjermania, prania e tyre ndihet shumë në Beograd, një qytet me më pak se dy milionë banorë. Ata kanë ngritur klube dhe kafene, kopshte për fëmijë por edhe klinika mjekësore. Rusët i blejnë ushqimet në dyqanet ruse, blejnë marka ruse, këngëtarët dhe komedianët argëtojnë publikun në lokale ruse dhe artistët i shfaqin veprat e tyre në galeri arti në pronësi të shtetasve rusë.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Brendshme serbe, mes shkurtit 2022 dhe mesit të vitit 2023, më shumë se 30 mijë rusë kërkuan rezidencë të përkohshme në Serbi. Sipas Reuters, pavarësisht se nuk janë botuar shifra krahasuese me periudhën para luftës, numri ka pësuar rritje të theksuar.

Të dhënat tregojnë se gjatë kësaj periudhë, rusët kanë ngritur mbi 11 mijë biznese në sektorë të ndryshëm, nga kompanitë e shërbimit të internetit, hoteleri dhe shkolla sportive.

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë kanë qenë historikisht të ngushta dhe vijojnë të mbeten edhe sot, ku nuk mungojnë as etiketimet vëllazërore për njëri-tjetrin. Edhe pse është shtet kandidat për në Bashkimin Europian, Serbia nuk ka pranuar të miratojë sanksione kundër Rusisë, njëlloj si BE apo shtetet e tjera të rajonit, si Shqipëria apo Kosova.

Ironikisht, qëndrimet e shumë prej rusëve të cilët janë larguar nga Putini bien ndesh me ato të serbëve vendas, të cilët shohin te presidenti rus një udhëheqës botëror dhe një mbrojtës të Serbisë.

Klan News