U çel këtë të martë gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit, në Porto Romano. Kryeministri i vendit Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së garës tha se ky port i jep vendit një fuqi të re për tregtinë dhe sigurinë në rajon. Shefi i Ezkekutivit foli dhe për arsyen e zhvendosjes së portit nga qytetit i Durrësit
“Një port që është një plagë, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë shumë që gjithë ajo rrëmujë dhe gjithë ai kaos për shumë e shumë vite ka qenë edhe një zonë e errët e veprimtareve të paligjshme dhe kriminale.”
Ai bëri të ditur se në Porto Romano do të ndërtohet edhe porti i NATO-s.
“Porti i ri do të jetë jo vetëm një port me impakt të madh por do të ketë dhe krahun e vet ushtarak. Duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimale. Në bashkërendim me NATO jemi duke punuar për financimin e zonës ushtarake pranë këtij porti, duke i shtuar kështu projektit edhe rëndësinë që lidhet me sigurinë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe më gjerë.”
Zv.kryeministrja Belinda Balluku në fjalën e saj u shpreh se projektet infrastrukturore portuale në Durrës e Vlorë do të pasohen nga ato në Sarandë e Lezhë.
Për ndërtimin e Portit të Durrësit deri më tani kanë shprehur interes 15 kompani, ndërkohë që financimi i tij kap vlerën e 39.2 mld Lekëve dhe do të mbulohet plotësisht nga buxheti i shtetit.
Tv Klan