Një tjetër bllok banimi i është nënshtruar rikualifikimit urban nga Bashkia e Tiranës. Gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e hapësirave mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se do të kryhet edhe unifikimi i fasadave përmes Fondit të Komunitetit.

“Njerëzit do rikthehen nga pushimet me një shtëpi që vlen të paktën 30-40% më shumë, vetëm prej faktit se do të ketë kanalizime, ndriçim LED, infrastrukturë, një ‘ishull’ për të moshuarit. Sigurisht, do të doja që të vijonim edhe me unifikimin e fasadave. Kush i ka pasur mundësitë, e ka bërë vetë tashmë. Por, të tjerët që kanë pasur më të pamundur, nëse janë me aftësi të kufizuar, nëse janë pensionistë, pjesën e tyre e paguan Bashkia”, tha Veliaj.

Veliaj kërkoi nga banorët e zonës që të regjistrojnë fëmijët në çerdhet, kopshtet dhe shkollat pranë shtëpive të tyre, për të mos mbipopulluar institucionet e tjera.

“Duam që secili të shkojë te kopshti, çerdhja ose shkolla më e afërt. Tani që është hapur “Xhezmi Delli” do të duhet të shkojmë aty sepse në momentin që ne ngarkojmë një shkollë tjetër, atëherë do të kemi në mënyrë të paarsyeshme shkolla me dy turne, kurse shkolla ngjitur mbetet me klasa bosh”.

Projekti i Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e hapësirës me rrugën “Kujtim Laro” dhe Kongresi i Manastirit në njësinë nr. 4 përmban krijimin e një sheshi, ndërkohë që në kryqëzimet ekzistuese do të bëhet rakordimi i kthesave, i përshtatshëm për mjetet e lejuara.

Sheshi parashikohet të kufizohet me trotuare që do të kenë gjerësi minimalisht 1 metër, ndërsa në të dyja anët do të realizohet një hapësirë e shtruar me pllaka që do të jetë e ndërthurur me gjelbërim.

Tv Klan