Është hapur gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano që do të kushtojë 390 mln Euro ndërsa për ndërtimin e tij do të punësohen afro 1500 persona.

Projekti është paraqitur nga kompania hollandeze Royal Haskoning me të cilën autoriteti portual kishte nënshkruar një kontratë me negocim të drejtëpërdrejtë për konsulencë dhe mbikqyrje në ndërtimin e portit të ri në vlerën 12 milionë Euro. Kryeministri Rama tha se po punohet në bashkërendim me NATO-n për financimin e zonës ushtarake pranë këtij porti.

Edi Rama: Një port impakton deri në 3 përqind prodhimin e përgjithshëm kombëtar të vendit. Ky që kemi atje, në mes të Durrësit – që është një turp i madh kombëtar dhe që më në fund do të fshihet prej andej – e ka impaktin qesharak. Do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tonë, sepse siç e ka para parë grupi i projektimit dhe siç na ka udhëhequr Eriku në këtë proces, do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në kuptimin një tjetër bazë në Mesdhe në numër, por një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.

Rama ju premtoi kompanive konkurruese transparencë në zhvillimin e tenderit ndërkombëtar.

Edi Rama: Do të jetë një proces absolutisht transparent, por mos harroni që nuk keni vetëm ne mbi kokë, por keni edhe peshkatarët holandeze. Kështu që zgjidheni që në fillim, bëni delfinin edhe të fitojmë të gjitha palët. Harrojeni peshkaqenin, atë shkoni bëjeni në ndonjë vend tjetër jashtë Europës ku ka plot porte që ndërtohen.

Zv kryeministrja Balluku tha se ky projekt, integron hekurudhën Durrës-Prishtinë me portet e thata në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Belinda Balluku: E kemi quajtur porti i shqiptarëve pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës dhe RMV-së. Në bashkëveprim me NATO-n, kemi nisur të punojmë për financimin e zonës portuale ushtarake në Porto Romano. Në ndërtimin e portit të ri tregtar, do të bëjmë realitet për t’i dhënë Durrësit dhe Vlorës 2 porte. 

Në garë per zbatimin ne praktike të këtij projekti në Porto Romano marrin pjesë 15 kompani ndërkombëtare.

Faza e parakualifikimit të tenderit ndërkombtar do të zgjasë 6 javë ndërkohë që në muajt Mars – Prill pritet nënshkrimi i kontratës.

Klan News