“Deklarata shoviniste, të lexojë historinë e himariotëve”

Banorët e Himarës, Vunoit e Borshit janë irrituar me deklaratën e kandidatit për kryetar bashkie të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, i cili në një intervistë për gazetën greke ‘Protothema’ flet për një plan për helenizimin e Himarës.

“Këtu është territor shqiptar dhe do mbetet i atillë. Jo gabim, është faj”.

“Këtë Belerin dhe të kemi bagëti nuk e çojmë as çoban me bagëti jo të merret me politikë Beleri”.

“Atë deklaratë as e konsiderojmë as e realizojmë”.

Për mikrofonin e televizionit Klan, përveçse i cilësojnë si shoviniste të tilla qëndrime, banorët i kërkojnë kandidatit Beleri të lexojë historinë e Himarës dhe himariotëve.

“Territoret kanë qenë dhe janë shqiptare, gjyshërit e stërgjyshërit tanë i kanë bërë me kurbet vërtetë fshatin, por është vend shqiptar nuk është grek”.

“Himara është shqiptare pavarësisht që flasin greqisht”.

“Këto deklarata janë shoviniste, krijojnë përçarje ndërmjet gjithë banorëve të zonës dhe prishin marrëdhëniet me Greqinë”.

Në intervistën e tij të bërë publike të martën, Beleri pyetjes së gazetarit se çfarë do të bëjë për helenizimin e Himarës i përgjigjet se “është jetike për helenizimin e Himarës që t’i tejkajojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi dhe se zgjedhja e tij do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë”.

Por pas këtyre reagimeve, Fredi  Beleri ka reaguar këtë të mërkurë me anë të një deklarate, duke mohuar që të ketë thënë fjalën helenizim dhe duke sqaruar se disa media kanë bërë përkthim të gabuar, pasi ai ka përmenduar togfjalëshin “komunitet grek”.

Tv Klan