Disa javë më parë tek rubrika “Shihemi në Gjyq” tek E Diela Shqiptare ka ardhur një rast ku një nënë e quajtur Vide ishte nxjerrë jashtë nga 9 fëmijët e saj dhe askush nuk dëshironte që ta mbante në shtëpi. Ajo jetonte në një shtëpi me kushte të mjerueshme, por fëmijëve nuk i bënte aspak përshtypje kjo gjë. Ajo që ka bërë më shumë bujë në këtë seancë ndërmjetësimi ka qenë edhe sjellja e ashpër e vajzës së saj, e cila e ka ofenduar dhe ka thënë fjalë tepër të rënda. Nga sjellja e keqe e vajzës ndaj nënës së saj 80-vjeçare është prekur dhe publiku, por mbi të gjitha dhe Eni Çobani.

E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Eni Çobani ka treguar se është përfshirë shumë në këtë rast dhe se është përpjekur ta ndihmojë nënën Viden me aq sa ka mundësi. Sa për vajzën e nënë Vides, Eni tregon se është penduar goxha dhe se i kanë ardhur lajmet se ajo për ditë me radhë nuk ka ndalë nga shtëpia për shkak të opinionit.

Gjithashtu Eni tregoi se një shtetas shqiptar që jeton në SHBA ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e nënës 80- vjeçare, ku tani ajo jeton në një shtëpi me qira dhe i jep çdo muaj të ardhura për të përballuar shpenzimet e saj.

Eni Çobani: Në fakt vajza është penduar goxha, duhet ta them. Kanë kaluar ditë, kanë kaluar javë dhe atë e ka vrarë deri diku opinioni. Në ditët e para më është thënë që ajo nuk ka dalë as nga shtëpia  sepse dha një imazh të një vajze që sado e hidhëruar të jetë me nënën, ti nuk mund të shkosh në atë pikë, plus që Vida ishte një grua shumë fisnike, një grua me halle shumë dhe nëna e 9 fëmijëve dhe të lësh nënën 5 djem dhe 4 vajza në rrugë të madhe, unë e kisha gati të pabesueshme. Pas atij momenti Vitin e Ri 2023 e kemi pritur bashkë me nënë Vidën dhe sot është ambientuar në një apartament i cili paguhet nga një shtetas shqiptar në SHBA dhe ai i ka përballuar të gjitha shpenzimet e saj që relativisht janë jo të larta, por ajo ka një të ardhur të mirë, të pranueshme mujore nga zotëria i cili nuk më lejon të them identitetin e tij.

Ermelinda Zefndoja: Po fëmijët, si ka qenë reagimi i tyre , vazhdojnë të kenë atë marrëdhënie të ftohtë me të?

Eni Çobani: Nga fëmijët e tjerë asnjë përveç Majlindës që ishte atje dhe një vajze tjetër. Ato më marrin shpesh në fakt dhe më thonë zonja Eni duam t’i afrohemi mamasë, ti shkojmë dhe them se kjo është një dëshirë e saj, unë nuk e kam marrë pronë Vidën, Vida është nëna juaj, unë nënën time  e kam në shtëpi. Por fakti që ajo kërkon gjithmonë ndihmën time kur ju shikon, pra ajo ka një tronditje të brendshme si nënë dhe nuk e pranon këtë realitet se thotë i kam rritur me gjithë të mirat.

Eni Çobani ka bërë dhe një gjest që ka ngrohur të gjithë zemrat e shqiptarëve, ajo ka ftuar nënë Viden ditën e Vitit të Ri tek shtëpia për ta festuar me familjen e saj. Madje tregon se gjatë gjithë darkës për shkak të lumturisë dhe emocioneve nuk ka ngrënë asnjë ushqim.

Eni Çobani: Ajo nuk ka prekur asnjë gjë, më ka ardhur aq keq, domethënë nga lumturia e madhe që kishte, Eni nuk është tek e ngrëna, unë bile gjithçka që kisha përgatitur me shumë dashuri dhe ajo pak gjë arriti të provonte, edhe emocioni patjetër, në një familje tjetër, kështu që nuk është e thjeshtë. Ne u lumturuam të gjithë, duke filluar që nga im vjehërr.  /tvklan.al