Lajme Arkiva 2003

Florenc Balla polici i vrarë në krye të detyrës gjatë aksionit për kapjen e një të shumëkërkuari mori lamtumirën nga të afërmit dhe kolegët e tij. Me qindra njerëz i bënë nderimet agjentit të kriminales i cili u qëllua për vdekje 3 ditë më parë nga  Andi Gurabardhi i shpallu në kërkim nga uniformat blu që në vitin ‘98.

Homazhet mblodhën edhe përfaqësues të shtetit, Ministri i Rendit Luan Rama ka nderuar efektivin e policisë së Elbasanit, i shoqëruar edhe nga disa deputetë. Babai i moshuar i Florenc Ballës, mundi të thoshte pak fjalë para se trupi i të birit të përcillej për në banesën e fundit.

Babai i Florenc Ballës: Falenderoj të gjithë stafin e degës së policisë që Elbasanit që për djalin tim nuk u larguan asnjëherë deri në ditën që ai po ikën. I kanë qëndruar pranë. Falënderoj edhe ministrinë të cilët u morën me djalin tim dhe pushtetin lokal e të gjithë i falenderoj!

Ministri i Rendit Luan Rama pasi i shprehu edhe njëherë ngushëllimet familjes dhe kolegëve të Florencit, përcolli edhe mesazhin e kryeministrit Fatos Nano.

Luan Rama lexon mesazhin e kryeministrit:

“Me dëshirën që në familjen tuaj pas kësaj të keni vetëm gëzime, ju shpreh edhe njëherë ngushëllime të sinqerta! I paharruar kujtimi i Florencit tonë të dashur! Me dashuri i juaji, Fatos Nano”.

Më pas ai dorëzoi babait të policit urdhrin “shqiponja e artë” me dekret të Presidentit të Republikës Alfred Moisiu.

Luftë më të egër kundër kriminelëve premtoi ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Bajram Ibraj, para efektivëve të policisë së Elbasanit që mbajnë arkivolin e kolegë ve të tyre të rënë në krye të detyrës.

Bajram Ibraj: Pavarësisht nga këto humbje të dhimbshme policia e shtetit ashtu si deri më tani për asnjë çast nuk do të ndërpresë luftën kundër krimit të çfarëdolloj forme që ai do të shfaqet. Do të punojë fuqimisht për kapjen e kriminelit të pabesë, që vrau kolegun dhe shokun tonë më të mirë dhe të gjithë kriminelëve të tjerë që janë të shpallur në kërkim për krimet që ata kanë kryer.

Turpi i Florencit do të prehet në varrezat e qytetit të Elbasanit. Lamtumira e fundit ju dha atij në breshërinë e plumbave nga punonjësit e drejtorisë policore të Elbasanit. Florenc Balla është një nga të rënët e uniformave blu në përpjekje për kapjen e të shumëkërkuarve për krime të kryera pas vitit ’97.

Ndërkohë Andi Gurabardhi i kërkuari që qëlloi mbi policin e kriminales ka arritur ti shpëtojë policisë. Ai akuzohet për disa grabitje me armë ndërsa ekzistojë dyshime se pak kohë më parë ka mbytur në lumë një vajzë 20 vjeçare.

Në kasollen ku fshihej prej disa vitesh policia ka gjetur një vizatim të autorit me fytyrën e një femre që dyshohet se ka lidhje me viktimën 20 vjeçare./tvklan.al