Një 56-vjeçar është arrestuar në Elbasan. Ai u kap pasi në banesë fshihte një kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarakë.

Policia e arrestoi 56-vjeçarin pasi kishte pasur një kallëzim ndaj familjes së tij. Uniformat blu thonë se ka qenë një grua që ka kallëzuar në polici se është dhunuar nga bashkëshorti i saj, 27 vjeç, me të cilin është në proces divorci. I riu është djali i të arrestuarit në fjalë.

Për pasojë është ushtruar kontroll në banesën e babait të tij ku u gjetën edhe arma me municionet. Babai u arrestua ndërsa djali u procedua në gjendje të lirë.

“Menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetasje se ajo ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 27 vjeç, me të cilin ishin në proces divorci, Komisariati i Policisë Elbasan, bazuar në inteligjencës policore se babai i 27-vjeçarit posedonte në banesë  armë zjarri dhe lëndë plasëse, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Next”. Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, shtetasit B. Ç., në fshatin Qerret, njësia administrative Labinot Mal, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua poseduesi i armës së zjarrit dhe lëndëve plasëse, shtetasi B. Ç., 56 vjeç. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 29 vjeç, djali i shtetasit B. Ç., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën janë në proces divorci”, njoftoi policia./tvklan.al