Me një diferencë të ndjeshme votash ndaj rivalit të rij opozitar në garë, socialisti Vangjel Tavo u zgjodh kryetari i ri i Bashkisë së Himarës.

Pas numërimit të kutive në 36 qendrat e votimit, që përfundoi në orën 7 të mëngjesit Tavo arriti të marrë 5022 vota, 58.62% të tyre, ndërsa kandidati i opozitës Petro Gjikuria mori 3545 vota, ose thënë ndryshe 41.38%.

Numërimi i kutisë së fundit e gjeti mes mbështetësve dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste, duke u kthyer në një festë fitoren e tij për këtë bashki.

Ndonëse kjo ishte beteja e 18 elektorale për socialistin Tavo, ai arriti të siguroi 1477 vota më shumë se rivali i tij në garë.

Pavarësisht se në Bashkinë e Himarës dhe në fshatrat përreth dominoi me votë Petro Gjikuria, fitoren kandidati socialist e mori falë votave në Lumin e Vlorës, në fshatrat Tërbaç, Vranisht, Bolenë e Kuç, ku pas numërimit rezultoi se Tavo siguroi 330 vota, ndërsa Petro Gjikuria vetëm 7 vota.

Pas fitores ku falenderoi banorët e Himarës për mbështetjen që i dhanë në 4 Gusht, Tavo nuk harroi të ripërsërisë edhe propozimin për rivalin e tij në garë.

“E prisja rezultatin e kam thënë edhe e kam deklaruar, prisja 1200-1300. Do vazhdojmë punën për turizmin, krahas problemeve të tjera që kanë shprehur banorët gjatë fushatës. Zoti Gjikuria nëse nuk do të largohet në Amerikë është i mirëpritur të  jetë nënkryetari i bashkisë. Siç e theksova bashkia ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë. Turizmi është prioriteti, festë nuk ka do të vazhdojmë punën për Himarën dhe himarjotët”, tha Tavo.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 37.61% e qytetarëve me të drejtë vote. Vangjel Tavo ngjitet në karrigen e kryetarit të ri të Bashkisë së Himarës me një karrierë që numëron gati 3 dekada angazhim në politikë. 

Rrugëtimi i tij nisi në vitin 1996 si deputet në qarkun e Gjirokastrës pas propozimit të bërë nga Kryeministri i kohës Fatos Nano. Krahas mandatit të deputetit, Tavo i cili në profesion është mjek gjinekolog ka shërbyer edhe si Ministër i Shëndetësisë.

Tv Klan