Sinoptikanët parashikojnë rritjen e temperaturave

Mesi i Shkurtit ka sjellë të ftohtin e acartë, me temperatura që zbresin deri në -19 Gradë, duke i bërë këto ditët më të ftohta të këtij dimri. Sinoptikanët thonë se ky i ftohtë që solli dhe reshje bore në bregdet e kryeqytet, është si pasojë e fenomenit El Ninja, që ka përfshirë gjithë kontinentin dhe do të zgjasë 7 ditë.

Por mesi i javës do të sjellë përmirësim të situatës, duke bërë që temperaturat të rriten në vlerat normale të tyre, por sërish do të jetë ftohtë.

Sinoptikanët i cilësojnë këto fenomene të rralla, por jo të pazakonta. Një episod i tillë me ditë super të ftohta, vendi ynë e ka përjetuar edhe në dimrin e vitit 2017. Vlera minimale e shënuar në kryeqytet është -5 Gradë, ndërsa në 2017 kjo vlerë zbriti në -7,2 gradë, por sërish duke mos e thyer rekordin historik të viteve 1960 ku Tirana ka regjistruar temperatura -10 Gradë.

Tv Klan