Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka ripërsëritur akuzat për mungesë transparence të komisionit të posaçëm kuvendor për reformë zgjedhore, akuza në adresë të dy partive të mëdha që sipas Metës me qark të shkurtër po vënë reformën në funksion të interesave të tyre.

Ilir Meta: “Zgjedhjet janë të rrezikuara, së pari nga mungesa e transparencës së përfaqësuesve të PD-së, PS-së dhe gjithë funksionimit të deritanishëm të komisionit për reformën zgjedhore. Së dyti, nga frika e përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së për të përballuar një konkurrencë të hapur e të ndershme politike”.

Meta foli edhe për çështjen e KQZ-së ende pa një formulë mbi mënyrën e funksionimit pas fuqizimit ligjor nga kushtetuta.

Ilir Meta: “Në çdo rast KQZ-ja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se në çdo rast një KQZ, PD-PS është një KQZ e paligjshme.”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i bëri këto deklarata pas një takimi me përfaqësues të shoqatave të invalidëve dhe pensionistëve të Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi