Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, është politikani i parë i nivelit të lartë që pranon sfidën për të hedhur një kovë me ujë me akull në kokë, një nismë mbarëbotërore për të ndihmuar personat që vuajnë nga ç’rregullimi ALS, Skleroza Laterale Amiotrofike, një sëmundje që prek trurin dhe palcën kurrizore.

Kryeparlamentari u nominua nga modelja Angela Martini dhe kengëtarja kosovare Adelina Ismaili.

Siç e kërkon tradita e kësaj nisme sensibilizuese, para hedhjes së kovës  me ujë me akull në kokë, Ilir Meta nominoi ish -kryeministrin Sali Berisha, ish basketbollisten Mirza Alibega dhe ish protierin e kombëtares Foto Strakosha.

Më herët sfida u pranua edhe nga deputetja Monika Kryemadhi. Nuk dihet nëse ish -kryeministri Berisha do ta pranojë sfidën, brenda 24 orësh, ashtu siç e përcaktojnë rregullat e saj.

Ndërkohë që i nominuar nga disa artistë vazhdon të jetë kryministri Edi Rama. I pari person i jetës publike që iu bashkua nismes “Ice bucket Challenge ASL” hedhja e kovës me ujë me akull në kokë ishte themeluesi i Facebook Mark Zuckeberg. Nominimit të tij iu përgjigj një nga më të pasurit e botës, themeluesi i Microsoft, Bill Gates.

Kauza po bën bashkë shumë të famshëm deri te ish presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, që zgjodhi të nominojë një tjetër ish president, demokratin Bill Klinton.

Tv Klan