Prokurorja e përgjithshme i ka dërguar përgjigje Ministrisë së Drejtësisë mbi projektligjin e ri për institucionin e akuzës.

Në qëndrimin e saj ndaj draftit, Ina Rama, duket qartë se është tërhequr nga qëndrimet kundërshtuese të pikave të veçanta të ligjit, kundërshti që i parashtruan prokurorë dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Kështu është rënë dakord që prokurorët të jenë pa imunitet, që në këshillin e prokurorisë Ministria e Drejtësisë të ketë dy anëtarë me të drejtë vote.

Një pikë e nxehtë e debatit, por që në fund fitoi varianti i ministrisë, ishte ai për inspektimin e akuzës prej tij.

Prokuroria e përgjithshme ka rënë dakord që Ministria e Drejtësisë të kryejë në këtë institucion inspektime të vazhdueshme dhe çdo gjashtë muaj të paraqesë në kuvend raport për të dhënat e mbledhura duke propozuar tek prokurori i përgjithshëm masa ndëshkimore.

Ky i fundit ka të drejtën e debatit pas raportimit tek ministri. Është rënë dakord që prokurorët të mos shkarkohen pas regjistrimit të procedimit penal, po kështu dhe prokurorët e shkallës së parë dhe të Apelit.

Transferimi i prokurorëve bëhet vetëm me pëlqimin e tyre. Mandati i prokurorit të përgjithshëm është 5 vjet dhe pas largimit nga detyra prokurori mund të konkurrojë për shkallën e parë dhe të dytë të akuzës.

Debati që ngërtheu në luftë të ftohtë institucionet mbi ligjin e ri të prokurorisë përfundoi në shumë zhurmë për asgjë.

Letra dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë nga kryeprokurorja Ina Rama u komentua edhe në shtypin e shkruar si dorëzim i kësaj të fundit, një përgjigje që numri një i akuzës e vonoi me disa javë, duke i hapur shteg një debati që u përdor  më shumë politikisht.

Opozita përdori heshtjen e prokurorisë së përgjithshme për të thënë se institucionit po i cenohet pavarësia apo deklaratat publike të grupeve te interesit, për t’i shpallur nga selia opozicion të panevojshëm projektit dukshëm të palexuar mirë dhe që kish marrë të gjitha vlerësimet e misioneve që e asistuan në proces OPDAT dhe Euralius.

Madje dhe këtë të fundit tentuan ta tërheqin në një përpjekje për të sulmuar projektligjin në një lojë keqkuptimesh dhe interpretimesh mediatike për interesa qartësisht dhe thellësisht politike, por sigurisht përfaqësuesit e Euralius të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, nuk vonuan të mohojnë, duke theksuar se në asnjë rast nuk i kërkuan ministrisë të tërheqë ligjin për prokurorinë.

Tashmë letra e Ina Ramës i jep fund debatit, madje edhe ultimatumeve të skaduara 30 ditore për një ligj të ri konsensual, pasi oferta për konsensus u ofrua që në krye të herës,  por u refuzua qëllimisht.

Debati me siguri mund të quhet i mbyllur, madje edhe në kuvend në të gjithë procesin që duhet të përshkoje miratimi i tij, pasi në të gjitha rastet nuk do të justifikohej asnjë kundërshti pas reagimit të Prokurorisë së Përgjithshme./tvklan.al