Një incident ka ndodhur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Mediat kosovare shkruajnë se sigurimi i këtij aeroporti ka tentuar të marrë telefonin personal të presidentes.

Kjo nuk është lejuar nga kryetarja e shtetit të Kosovës, ndërsa këshilltari i saj për media, Bekim Kupina është shprehur se madje është tentuar të shtyhet fizikisht Osmani.

“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike”, tha Kupina sipas asaj që shkruan Klan Kosova.

Bekim Kupina, këshillari për media i Presidencës së Kosovës

Kupina shtoi se në kundërshtim me rregullat, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kundër rregullave, ekipi i saj e ka lejuar në mënyrë që ajo të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të ambasadës sipas praktikave për udhëtimet e krerëve të të shtetit.

“Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal. Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”, theksoi ai.

Aeroporti i Shkupit

Sipas këshilltarit nga pala maqedonase kishte një tendencë për të provokuar delegacionin e Kosovës për të shkaktuar incident. Osmani ka kontaktuar me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ka ofruar ndihmën e tij. Megjithatë, edhe pasi presidentja ka hyrë në avion, aeroporti i Shkupit nuk ka lejuar nisjen për më shumë se një orë. Preteksti ka qenë se shteti slloven nuk ka lejuar nisjen pasi nuk ishte gati për aterim. Por pala sllovene e ka mohuar diçka të tillë duke informuar Presidencën e Kosovës se kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror si sulm ndaj vete shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në mënyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, tha ndër të tjera për Klan Kosova, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Afrim Gashi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

Një reagim në lidhje me këtë ngjarje e ka pasur edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut. Kjo e fundit thotë se sigurimi i kryeparlamentarit Gashi ka kërcënuar punonjësit e aeroportit se kush i ka shkaktuar probleme presidentes Osmani. Sipas MPB-së, incidenti ka ndodhur kur Osmanit i është kërkuar që telefonin ta kalonte përmes skanerit.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thanë nga MPB për Klan Maqedoni./tvklan.al