Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se çdo vendim që merret nga secila palë në dialogun Kosovë-Serbi duhet të bëhet në suaza të linjave të këtij procesi, kjo duke folur për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit.

Në një konferencë për media, ai ka theksuar se rihapja e urës është çështje dialogu, dhe “çdo vendim për hapjen duhet të bëhet në kuadër të dialogut”.

“Ne kurrë nuk spekulojmë për skenaret ‘nëse’. Qëndrimi ynë i përgjithshëm është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut duhet të zbatohen, ky është një detyrim i kahershëm për të dyja palët”.

“Dhe çfarëdo hapash dhe veprimesh që do të ndërmerren, që kanë ndikim në njërën anë dhe në tjetrën, duhet të zgjidhen, diskutohen dhe çohen përpara në kuadër të dialogut, dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano. /Klan Kosova