Pas incidentit të madh të regjistruar mesditën e së premtes me ndërprerjen e energjisë elektrike në Shqipëri dhe disa vende të Rajonit, ka reaguar edhe Komiteti i Operatorëve Europianë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike.

Ky Komitet nëpërmjet një njoftimi zyrtar nënvizon se më 21 Qershor një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale, që rezultoi me ndërprerje në rrjetet elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci.

OST-të e prekura, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.

Komiteti i Operatorëve Europianë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion për incidentin.

Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.

Pas kësaj ngjarjeje të pazakontë, në reagimin e saj edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se pavarësisht se i gjithë vendi furnizohet me energji elektrike, vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në një kohë kur kemi dhe temperatura të larta.

Klan News