Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar së fundmi në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit. Ky zbulim erdhi nga ekspedita e katërt arkeologjike brenda dy viteve të fundit në këtë vend.

Sipas arkeologes Brikena Shkodra, dokumentimi i këtyre varreve, që datojnë nga periudha mesjetare, sjell informacione të reja, duke përmirësuar të dhënat e deritanishme që kanë qenë sporadike.

Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi ende nevojë të kuptojmë të gjitha këto elemente sa ruhen përmes të dhënave arkeologjike dhe nga ana tjetër e njejta hapësirë vazhdon të ketë të njëjtën rëndësi si pjesë e vazhdimësisë së jetës në qytet të paktën deri në shek e XIV.

Gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën jug-lindore të Forumit Bizantin, me qëllimin për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi këtë monument historik.

Brikena Shkodra, Arkeologe: Kemi mundësi që të bëjmë një histori më të mirë të qytetit dhe këtij monumenti brenda qytetit antik të vonë dhe mesjetar. Janë pikërisht të gjitha këto element që lidhen me përcaktimin e të dhënave më të sakta dhe më të dokumentuara në lidhje me kohën e ndërtimin e strukturës, në lidhje me elementet arkitektonike që të bëjnë të kuptosh format e ndryshme funksionale.

Forumi Bizantin, i cili ndodhet në qendër të Durrësit, ka shërbyer si qendër për aktivitetet kryesore sociale, ekonomike, politike dhe tregtare gjatë antikitetit të vonë. Gërmimet janë pjesë e projektit “Dyrraciumi në antikitetin e vonë,” të realizuar nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetje financiare nga Akademia e Shkencave.

Klan News