Një zjarr që përfshiu Athinën muajin e kaluar, dogji pemë të cilat ishin shkrumbuar edhe dy vite më parë.

Në këtë zonë ndodhet edhe fshati Penteli, ku Marlena Kaloudi jeton që nga vitet 1970. Zjarri ra edhe në shtëpinë e saj. Por ajo e përjetoi me shumë dhimbje kur pa që edhe pishat e saj mbi 100-vjeçare ishin djegur të gjitha.

Dëmet nga ky fenomen janë katastrofike.  Zjarret janë bërë më të shpeshta dhe të ashpra në të gjithë rajonin e Mesdheut nxitur nga temperaturat e larta për shkak të ngrohjes globale.

Në rajonin e Atikës përreth Athinës, flakët kanë shkatërruar 37% të pyjeve dhe kullotave që nga viti 2017. Të dhënat janë publikuar në muajin Gusht nga Observatori Kombëtar i Athinës. Më shumë se 60% e pyjeve janë djegur duke ndërprerë edhe rritjen e tyre.

Fqinjët i kërkuan banores Marlena Kaloudi që të priste pemët e mbetura në kopshtin e saj, por ajo refuzoi.

“Humbja e këtij pylli më tmerron. Më ka prekur shumë në çdo aspekt të jetës time”.

Atë që e shqetëson më shumë Marlenën është se në të ardhmen si pasojë e zjarreve të shumta nuk do të mund të mbjellë më, për shkak të tokës e cila ka pësuar dëme.

“Fatkeqësia më e madhe që ka ndodhur nuk është shtëpia jonë kjo mund të restaurohet, në një mënyrë apo në një tjetër. Janë ato pemë që ishin këtu para nesh. Ne shpresonim dhe u lutëm që ato të vazhdojnë të jenë këtu. Por ato u dogjën tërësisht.”

Humbja rrit rrezikun e përmbytjeve pasi shumë toka janë të shkrumbuara dhe temperaturat më të larta kanë sjellë edhe shkretëzimin.

Zjarret vit pas viti kanë ndezur një debat se cili duhet të jetë hapi i radhës i qeverisë: të vazhdojë me një program të rimbjelljes së pemëve, ose siç kanë sugjeruar disa shkencëtarë, të kërkojnë mënyra të reja për t’u përshtatur.

Theodore Giannaros, meteorolog në Observatorin Kombëtar të Athinës, ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm toka do të jetë edhe më e nxehtë për shkak se shumë pemë janë shkrumbuar. Bimësia e cila është më pak e prekshme nga zjarret dhe disa lloje barishtesh mund të jenë zgjidhja e vetme për të shpëtuar toka.

“Rajoni i Atikës, nëse e shohim në tërësi, ka humbur rreth një të tretën e peizazhit të tij të pyllëzuar. Duhet të fokusohemi seriozisht në rikthimin e peizazhit, jo vetëm të mbjellim pemë apo pyje, por në një mënyrë që do të jetë më e qëndrueshme në të ardhmen dhe më rezistente ndaj fatkeqësive të tjera natyrore.”

Por Greqia nuk është e vetme. Përfaqësues të OKB për Ndryshimet Klimatike kanë thënë se rajoni i Mesdheut është një pikë e nxehtë e ndryshimeve klimatike, me një rritje të temperaturave të sipërfaqes prej 1.5C.

“Nëse vazhdojmë të investojmë në më shumë cisterna me ujë, në më shumë zjarrfikës, në më shumë drone, në teknologji të fundit, është pothuajse e sigurt që zjarret do të ndalen në kohë. Ky rajon këtu, që nuk është prekur nga zjarri, është një zonë që tashmë është djegur dy herë, në 2009 dhe në 2022. Pra, këtu zjarri dhe ato në ardhmen nuk kanë më se çfarë të bëjnë.”

Ndërkohë, zona të paprekura më parë nga zjarret po goditen”. Ky është fermeri Thodoris Arvanitis që kishte një parcelë prej 100 hektarësh në një zonë të pyllëzuar në veri të Athinës për 35 vjet. Ai kishte një shkollë për fermerët, dhoma për punëtorët dhe magazina për frutat dhe perimet e tij.

Muajin e kaluar, shumica e asaj që ai ndërtoi deri në 1 milion Euro pajisje dhe kultura u dogj nga zjarri. Tani, i gjithë mundi i disa viteve, por edhe ekonomia e tij është shkatërruar.

“Ne po shuanim zjarret kur ndërkohë aktivizoheshin vatra të reja. Në një moment ne nuk mund të bënim asgjë më teper. Këtu kishte pemë të larta dhe gështenja.”

Sipas Arvanitis shteti ka lënë në harresë shumë fermerë pas zjarreve intensive që kanë shkaktuar miliarda Euro humbje.

“Kjo është mungesa e ndjeshmërisë së shtetit, në të gjitha strukturat e tij. Ata nuk treguan asnjë konsideratë, dhe megjithëse kishin mjetet, nuk bënë asgjë. Dhe në momentin që isha gati të largohesha, të braktisja çdo gje, të shkoja diku tjetër, qeveria na mbajti me shpresa, por siç e shikoni asgjë nuk është bërë.”

Të dhënat nga Global Forest Watch, tregojnë se nga të gjitha humbjet e pyjeve të lidhura me zjarret në Atikë që nga viti 2000, 74% ka ndodhur që nga viti 2017. Por Greqia dëshiron që të rimbjellë pyjet e saj. Një raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë  konfirmon se kërkohen veprime më të forta për të ulur varësinë e Greqisë nga lëndët djegëse fosile. 

Zjarret e verës 2023 që ishin edhe më të rëndat ekspozuan disa pengesa, që do të thotë se qeveria duhet të rrisë ambicien e politikave për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për çdo qytetar evropian, veçanërisht në rajonet më të largëta dhe me sfida socio-ekonomike.

Me ndihmën e 450 milionë Eurove nga BE, qeveria ka miratuar një plan kombëtar për parandalimin e zjarrit që përfshin gjithashtu mbjelljen e 1 milion pemëve në Atikë. BE ka një plan për të rimbjellur 3 miliardë pemë në të gjithë bllokun deri në vitin 2030, megjithëse plani nuk fokusohet në rimbjelljen pas zjarreve.

Klan News