Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i ka paraqitur notë proteste qeverisë së Maqedonisë së Veriut për incidentin me Presidenten Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit. Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla është takuar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetain, me të cilin thuhet se kanë folur për incidentin dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Më pas Gërvalla ka folur në telefon edhe me homologun e saj maqedonas, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm.

“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në reagim të ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar përmes një sqarimi të gjatë, ku thuhet se në vend të faljes, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka justifikuar veprimin e sigurimit të aeroportit për t’i marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal presidentes Osmani. Presidenca e Kosovës hodhi poshtë deklaratat e palës maqedonase se Osmani ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi, pasi ajo ka patur vetëm një çantë dore, të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. “E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, sqaron Presidenca.

Sipas palës kosovare, situata e ndodhur në aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident. Ndaj Presidenca e Kosovës kërkon që në vend të justifikimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, autoritetet zyrtare në Shkup ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës.

Tv Klan