Thuajse të gjitha ekipet kombëtare të Shqipërisë në futboll, do të zbresin në fushë në muajin Tetor. Kombëtaret kuqezi do të zhvillojnë ndeshjet e tyre, ku për disa marrin rëndësi të veçantë.

Kombëtarja A e drejtuar nga trajneri Silvinjo, do të luajë dy takime në Ligën e Kombeve, ndaj Çekisë më 11 Tetor, ora 20:45 dhe tre ditë më vonë ndaj Gjeorgjisë më 14 Tetor, ora 18:00, të cilat do të transmetohen ekskluzivisht në Tv Klan.

Sakaq, Shqipëria e vajzave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të luajë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Norvegjisë më 25 Tetor dhe më 29 Tetor. Këto sfida do të luhen në kuadër të raundit të parë të play-off-it, të vlefshme për Kampionatin Europian për vajza “Zvicër 2025”. Nëse Shqipëria kalon me sukses këtë raund, në fazën e dytë do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci – Irlandë e Veriut.

Në fushë këtë muaj do të zbresin edhe ekipet kombëtare të moshave. Sfidat më të rëndësishme sigurisht do t’i kenë ekipet kombëtare të moshave U-17 për djem e vajza, që do të luajnë ndeshjet e raundit të parë kualifikues për Kampionatet Europiane respektive. Kombëtarja U-17 e drejtuar nga Andrea Tedesco, e kualifikuar direkt në finalet e Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” do të luajë ndeshjet e raundit të parë në datat 9, 12 dhe 15 Tetor ndaj Kroacisë, Holandës dhe Ishujve Faroe. Të gjitha këto sfida do të luhen në Shqipëri.

Edhe raundi i parë i kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për vajza do të zhvillohet në vendin tonë në datat 30 Tetor – 5 Nëntor. Shqipëria e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj do të përballet me Kosovën më 30 Tetor dhe Izraelin më 5 Nëntor.

Ekipi kombëtar U-21 do të luajë ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Europianit U-21, ndaj Armenisë në “Air Albania” më 15 Tetor, në ora 18:00. Kjo është sfida e fundit e ekipit Shpresa në këto kualifikuese të Europianit.

Ndërkaq, ekipi kombëtar U-19 do të luajë dy sfida miqësore ndaj Malit të Zi më 11 Tetor në Podgoricë dhe 13 Tetor në “Reshit Rusi” në Shkodër. Këto do të jenë edhe dy testet e fundit të skuadrës së drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj përpara sfidave zyrtare të kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë.

Ekipi kombëtar U-15 për vajza do të luajë dy sfidat e radhës të turneut “UEFA Development” ndaj Estonisë (2 Tetor) dhe Maqedonisë së Veriut (5 Tetor) ndërsa edhe kombëtarja U-15 për djem do të marrë pjesë në një turne të njëjtë ku do të përballet me Bosnje – Hercegovinën, San Marinon dhe Ishujt Faroe. Ky turne do të zhvillohet në vendin tonë në datat 20-28 Tetor. /tvklan.al