Ambasadori i komisionit evropian, Helmut Lohan, zbardh për Klan tre prej çështjeve kryesore ku do të bazohet progres-raporti i Nëntorit për Shqipërinë.

Duke anashkaluar komentet e komisionit mbi ecurinë e reformave nën argumentin se gjithçka do të bëhet publike në 5 Nëntor, Lohan thotë se reforma në drejtësi, zgjedhjet dhe çështjet që lidhen me mënyrën e hartimit, por edhe zbatimit të ligjeve do të jenë padyshim shtylla kurrizore e raportit.

Helmut Lohan: “Në 5 Nëntor komisioni evropian do të publikojë raportin e tij vjetor për Shqipërinë, por do të doja të shfrytëzoja rastin për të theksuar tre faktorët që janë ndoshta më të rëndësishmit për vlerësimin tonë. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje që konsiderohen në përputhje me standardet ndërkombëtare të lira dhe të ndershme. Fusha e dytë që do të doja të përmendja është reforma e gjyqësorit. Është e nevojshme të përforcohet pavarësia, por edhe përgjegjshmëria e gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri. Legjislacioni duhet të përgatitet imtësisht. Legjislacioni duhet të debatohet gjerësisht dhe në mënyrë transparente”.

Ambasadori Lohan nuk harron t’i bëjë thirrje politikës të përmbushë në kohë për përballjen parlamentare të vitit 2009 reformën zgjedhore, një çështje kjo që kushtëzon ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi