Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme po e largojnë fokusin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Ballkani Perëndimor. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që liderët e rajonit të bëjnë pjesën e tyre, në mënyrë që këto shtete të bëhen anëtare të Bashkimi Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker.

“Ne duhet të kuptojnë se ka rreziqe edhe në Ballkanin Perëndimor. Vendet e rajonit nuk janë të gjitha të integruara plotësisht në BE, jo të gjitha janë anëtarë të NATO-s. Ato janë subjekt i shumë aktiviteteve të aktorëve që kanë një axhendë nacionaliste, fetare ose etnike. Ballkani Perëndimor është ende një rajon i paqëndrueshëm. Është e rëndësishme që ne të mbetemi të fokusuar në rivendosjen e paqes dhe sigurisë në Evropë në tërësi”.

I pyetur se cilat i sheh si sfidat dhe kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, ai tha se këta janë aktorë individualë të brendshëm, por edhe ndikime të jashtme.

“Para së gjithash, janë vetë aktorët vendas në vendet e Ballkanit që inkurajojnë kërkesat nacionaliste, fetare apo etnike nga historia, sepse kjo u sjell përfitime politike. Është shumë e rrezikshme dhe potencialisht shkatërruese, sepse aktorët e brendshëm shpesh shfrytëzohen nga aktorë të jashtëm. Rusia po përdor situatën për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur se si mund të ndikojnë zgjedhjet e nëntorit në SHBA në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, ai tha se beson se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh.

“Ky rajon është i rëndësishëm për SHBA-të, por nuk është në krye të listës së problematikave për tu trajtuar. Mendoj se kështu do të jetë pavarësisht nëse do të jetë në pushtet administrata e Kamala Harris apo Donald Trump”.

Volker tha se Rusia po e përdor situatën, duke u përpjekur të zgjerojë ndikimin e saj dhe të minojë qeveritë properëndimore në rajon.

Klan News