#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #tvklan

Të Ftuar : Belind Këlliçi, Lisandër Hoxha, Baton Haxhiu, Artan Hoxha, Arbër Hitaj dhe Valbona Mëhilli

Opozita ka zhvilluar sot protestën e paralajmëruar e cila ishte në kundërshtim të burgosjes ndaj deputetit të PD Ervin Salianji, por edhe një mosbindje civile që sipas kryetarit Sali Berisha është për arsye se “Edi Rama ka shpallur luftë”. Është protesta e parë pas kaq vitesh që nuk kishte një skenar të njohur. Ishte një protestë pa fjalime që i ngjante pak a shumë protestës së 21 janarit 2011 që po ashtu shmangu protagonizmin e lidershipit. Protesta u zhvillua që prej orës 18:38 minuta kur liderët e Partisë dolën nga selia, u bashkua dhe një numër liderësh të tjerë si Ilir Meta apo deptutetë të tjerë, por në pamje të parë kanë mbetur një numër më i vogël deputetësh që kanë qenë protagonistë gjatë gjithë lëvizjes.

Habit Këlliçi: Ne në votime nuk shkojmë më si cjapi tek kasapi

Demokrati Belind Këlliçi në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan ka bërë një deklaratë të fortë teksa ka thënë: Ne në votime nuk shkojmë më si cjapi tek kasapi.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi është shprehur se nëse nuk mundësohet qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira, ata nuk munden të pranojnë më votime në Shqipëri.

Belind Këlliçi: Mendja është ndarë, ne në votime nuk shkojmë më.

Blendi Fevziu: Si, si? E dëgjova mirë apo thatë “ne në votime nuk shkojmë më”.

Belind Këlliçi: Ne në votime nuk shkojmë më për të shkuar si cjapi tek kasapi. Ne një proces të montuar elektoral nuk marrim më pjesë.

Blendi Fevziu: Po më thua që ju nuk do të merrni pjesë në zgjedhje?

Belind Këlliçi: Do të bëjmë çdo gjë për të mundësuar qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Kjo nuk do të thotë vetëm protesta, por reagim shumë herë më të fortë nga se keni parë deri më sot në parlamentin e Shqipërisë, në atë Evropian për t’i ndërgjegjësuar që në Shqipëri drejton vendin kreu i kartelit të drogës që quhet Edi Rama.

Ne nuk do të presim 4 muaj. Në këto 7 muaj ne do të bëjmë gjithçka në Tiranë dhe jo vetëm, për të mundësuar qeverinë teknike. Ne nuk mundet të pranojmë më votime në Shqipëri. Të vendosur më shumë se kurrë për të mos shkuar në një proces zgjedhor që mund të garantojë mandatet e opozitës, por jo ndryshimin që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Sali Berisha është në krye të PD-së dhe “po” është “po” dhe “jo” është “jo”. Qytetarët duhet që të kuptojnë se shumica e shqiptarëve jetojnë në mjerim.

Baton Haxhiu: Protesta e PD, që të ulet në marrëveshje për qeveri teknike

Analisti Baton Haxhiu e konsideron protestën e opozitës brenda pritshmërive të tij.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Haxhiu u shpreh se duke analizuar gjuhën dhe deklaratat e eksponentëve të Partisë Demokratike, nuk përfaqësonin mosbindjen civile.

Sipas Baton Haxhiut, përmes protestave opozita kërkon që të arrijë një marrëveshje për qeveri teknike.

“Ishte në pritshmëritë e mia sepse po flasim për një protestë të organizuar nga një parti opozitare që ka për qëllim rrëmin e një regjimi. Kjo protestë nuk ishte e tillë. Nëse PD është nisur që të ndërtojë rrëfim për mosbindje civile, mosbindja civile është paqe, është një protestë brenda asaj që është rrugë paqësore. Kur këto nuk realizohen, është një protestë kundër një regjimi etj. Mosbindja civile nëse është e pasuksesshme, gradacioni vjen te revolucioni, që ka karakteristika të tjera dhe që vihen re në gjuhën e PD. Lufta si fjalë flet për një betejë të ashpër që është mes revolucionit dhe prekjes së armës. Nuk ndodh revolucioni menjëherë. Nga ajo që pashë në fund të protestës, gjuha e Nokës nuk është mosbindje civile.

Ata e përcaktuan një mobilizim që ishte përtej mobilizimit paqësor dhe kjo lëvizje e PD do të thotë që në të ardhmen do të ketë protesta më të dhunshme. Kur protesta është e dhunshme, zvogëlohet. Portesta ishte civile, kishte shëtitje.

Mandati i 4 kudo është problem për demokracinë. Cila është e ardhmja e PD? Pse njerëzit po kërkojnë qeveri teknike? Sepse e kanë betejën më të kaluarën jo me të tashmen. Unë protestën e sotme nuk e shoh ndaj pikave korruptive, por e shoh si një protestë për t’u ulur në një marrëveshje për qeveri teknike. Një opozitë që pret 12 vjet për të ardhur në pushtet kërkon qeverinë teknike… ta them troç, po të kisha qenë lider partie dhe të isha në arrest shtëpie, të ma kishin burgosur kryetarin, çfarë kërkoni ju në një protestë që është simbolike mbi këto që ju e quani regjim”, deklaroi Baton Haxhiu.

Këlliçi paralajmëron aksion opozitar të shpejtë, zbulon “skenarin” e protestuesve ndaj policisë

Demokrati Belind Këlliçi shprehet se shumë shpejt do të ketë një tjetër aksion opozitar. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Këlliçi ka komentuar dhe protestën e sotme të opozitës për të cilën ka thënë se ka qenë nisja e kapitullit të parë të mosbindjes civile.

Më tej, Këlliçi u shpreh se do të kishte preferuar një reagim më të fortë nga ana e protestuesve pasi ka thënë se dhuna e policisë ndaj tyre ka qenë e pandeshur ndonjëherë.

Belind Këlliçi: Nisi kapitulli i parë i mosbindjes civile. Një protestë që në protestën e radhës do të jetë në përgjigje të Policisë së Shtetit. Për 4 orë, Tirana ka qenë e bllokuar. Pjesa dërrmuese e qytetarëve në solidarizim me protestën. Vizita që i është bërë institucioneve të ndryshme, përfshirë dhe selinë e krimit, mori një përgjigje të lehtë dhe një reagim të lehtë në raport me atë që i ka bërë Rama deri më sot. Nuk jam i kënaqur. Do kisha preferuar, kërkuar, një reagim më të fortë.

Dhuna shtazarake e policisë ndaj protestuesve, e pahasur më parë. Gaz lotsjellës u hodh në parlament pa pasur asnjë incident. Ka pasur qytetarë që kanë dalë nga banesat se janë helmuar. Policia ka goditur me gaz lotsjellës me qindra qytetarë dhe policia sot ka pasur një sjellje shtazarake. Në kapitullin e dytë të mosbindjes civile, përgjigja e opozitës do të jetë propocionale me atë të Policisë së Shtetit. Qytetarët u thirrën në kohë rekord për të nisur mosbindjen, ka qenë një marshim nëpër rrugët e Tiranës.

Blendi FevziuPjesëmarrja ka qenë shumë më e vogël se vitet më parë.

Belind KëlliçiProtesta është thirrur një kohë rekord dhe nuk është ky fundi i mosbindjes civile dhe protestave të PD-së.

Blendi Fevziu: Nuk bëhej fjalë për mijëra qytetarë…

Belind Këlliçi: Duke qenë në mes të protestuesve, temperatura e reagimit të qytetarëve ka qenë mëse e lartë. Isha në një grup të dytë bashkë me qytetarë e me demokratë të zakonshëm. Kemi qenë të ndarë dhe për shkak të organizimit, kam qenë dhe vijoj të jem pranë qytetarëve. Do të ketë një aksion shumë të shpejtë.

Gazetari ‘ngel’ në klasë protestën e opozitës: Kasetë që e kemi parë, s’pati asgjë të re

Gazetari Arbër Hitaj e vlerësoi me notë pakaluese protestën e kësaj të hëne nga opozita. Në mendimin që ai shprehu në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kjo protestë nuk kishte qëllim dhe objektiv, ishte e paorganizuar dhe kaotike. Hitaj tha se PD e ka humbur asetin e saj në organizimin e protestave, ndërsa tha se organizimi i sotëm do të ketë ‘mërzitur’ edhe kryeministrin Rama.

Arbër Hitaj: Nëse do një isha mësues, do jepja një notë, një vlerësim për protestën sot, ajo është 4. Është një protestë që në syrin tim ëështë e dështuar në qëllim, në objektiv, në çdo gjë. Çfarë arriti? Cili ishte objektivi?

Blendi Fevziu: Objektivi nuk vjen me një protestë.

Arbër Hitaj: U tha do të vijmë me një protestë. 

Blendi Fevziu: Tani kush e thotë atë… nuk vjen dot me një protestë.

Arbër Hitaj: Nëse një protestë me 4000 do të detyrojë Edi Ramën që është një super mazhorancë që të largohet dhe të japë qeveri teknike, unë besoj që nuk është rruga e duhur. E treta, ishte gjithë kohës e paorganizuar, ishte kaotike dhe unë besoj e ka pasur dikur PD pikë të fortë organizimin e protestave, fatkeqësisht mendoj që ditën e sotme e ka humbur.

Blendi Fevziu: Këlliçi tha u organizua shumë shpejt, u lajmërua në pak ditë…

Arbër Hitaj: Këto janë justifikime. Nuk pati asnjë gjë të re. Është një kasetë që e kemi parë edhe në protesta të tjera. Madje mund të them edhe një tjetër, vetë Edi Rama është i mërzitur nga kjo protestë. Për mua kjo protestë ka mërzitur edhe PS sepse ishte ngritur opinioni publik…

Blendi Fevziu: Në një nga këto protesta unë mbaj mend që kryetari i PD tha te shkallët e PD që falë protestës tuaj sot Rama s’është më kryeministër, por e ka thënë që para 10 vjetësh, ai prapë kryeministër.

Arbër Hitaj: Sot edhe Edi Rama është i mërzitur me këtë protestë sepse ishte ngritur steka e diskutimit që mund të ishte një 21 janar i dytë.

Hitaj përmbylli duke thënë se pakënaqësia ndaj Partisë Demokratike vjen për shkak të mosqarkullimit të elitave, retorikës dhe individëve të njëjtë duke bërë që të mos ketë asnjë risi, skenar që u pa edhe në protestë.

Protesta e opozitës, Hoxha: Sot kishte një lajm të mirë dhe një të keq…

Analisti Artan Hoxha u shpreh se protesta e opozitës kishte një lajm të mirë dhe një lajm të keq.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha u shpreh se lajmi i mirë nga kjo protestë është që opozita tashmë është e organizuar në një format partiak, ndërsa si lajm të keq ka përmendur faktin që shoqëria vijon të jetë ende apatike. Analisti theksoi se për të pasur ndryshim nevojitet reflektim nga të majtët tashmë.

Artan Hoxha, analist: Varet shumë nga si e vlerëson situatën. Unë do ta skematizoja në dy ndarje të mëdha. Ka një pjesë të shoqërisë që beson se sot jemi në formësimin e një regjimi të dmëshëm që mund të përfundojë në… Për të gjithë ata shqiptarë që besojnë se sot jemi në një regjim të dëmshëm për të ardhmen sot kishte një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është opozita e organizuar në format partiak. I ka mbijetuar shumë vështirësive në këto vite, është energjike dhe në formë dhe dinë të organizohet, të japi sinjale dhe të dialogojnë me shoqërinë. Lajmi i keq është që shoqëria vijon të jetë ende apatik, lëviz pak dhe kjo ka krijuar një kontrast mes një mobilizimi partiak dhe militant dhe që përpiqet ta shkund këtë shoqëri e cila sipas meje është në arrati rinore dhe apati pleqërore.

Dalim tek opsioni i dytë që ka plot shqiptarë që mendojnë që jo nuk është kjo diktaturë, nuk është ky rrezik. Për këta ka përsëri një lajm të mirë dhe një të keq. Këta shohin që ‘oo shoqëria qenka në rregull, e pelqeka këtë model. Na ka rënë belaja me një parti që gjithmonë do të mbetet problem, por nga ana tjetër është e fortë dhe vijon na shkakton probleme’. Qytetarët ta ndajnë mendjen vetë se po shkojmë tek skenari i parë ku gradualisht qeverisja e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e pak demokratike, gjithnjë e më pak autoritare dhe ku pasuria gjithnjë e më shumë po koncentrohet. Apo është edhe modeli tjetër ai i një ecje të mirë, që po na nderon bota. Mes këtyre modeleve le ta zgjedhin vetë, por unë mendoj që është i pari dhe nëse duam ndryshim, reflektimi në rradhë të parë duhet të jetë reflektim majtas. Djathtas ka mjaftueshëm duhet majtas.

/tvklan.al