Ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se numri i personave të prekur nga gripi gjatë këtij viti do të trefishohet në krahasim me një vit më parë autoritetet shëndetësore në vend këshillojnë qytetarët që të mos dynden në farmaci për të marrë vaksina.

Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, vaksinat janë të një viti më parë dhe nuk kanë efikasitet, ndërkohë që zoti Ylli shpjegon se ISHP po punon edhe për zbulimin e virusit që pritet të prekë vendin tonë me qëllim blerjen e vaksinave të nevojshme për ta luftuar atë.

Alban Ylli: “Do t’i këshilloja qytetarët që të mos blejnë vaksinën, e cila mund të ndodhet ende në treg nga viti i kaluar. Vaksina e vjetër praktikisht nuk do të jetë efikase për epideminë e re të këtij gripi. Virusi i gripit çdo vit pëson ndryshime të vogla gjenetike, të cilat kapen nga laboratorë të specializuar për të prodhuar vaksinën e re. OBSH-ja nuk ka shpërndarë ende specifikimet e vaksinës së re të gripit. Ne presim që kjo të vijë nga fundi i Shtatorit, ndërkohë që firmat farmaceutike mund të fillojnë ta mbushin tregun unë besoj nga fundi i Tetorit.”

Një vit më parë në të gjithë vendin u prekën rreth 17 mijë e 800 persona nga virozat respiratore.

Nëse parashikimet e OBSH-së për trefishim të këtij numri do të rezultojnë të vërteta atëherë gripi mund të prekë mbi 50 mijë persona në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami