ISIS

Ky është James Foley, reporteri i lirë 40-vjeçar amerikan, i ekzekutuar në mënyrë çnjerëzore me prerje koke me thikë nga terroristët ultraradikalë të Shtetit Islamik. Ekzekutimi i tij u publikua i plotë nga xhihadistët në rrjetin social Youtube. Por pamjet  e rënda, detyruan drejtuesit e rrjetit t’a heqin.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi autenticitetin e videos së titulluar “Mesazh për Amerikën”. Aty sqarohet se ekzekutimi i reporterit është përgjigjja e parë në formë hakmarrjeje për urdhërin që Presidenti amerikan Barak Obama dha për sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në veri të Irakut.

I veshur me uniformën e të burgosurve të Guantanamos reporteri amerikan, reciton një mesazh përpara ekzekutimit, që dyshohet të jetë përgatitur nga pengmarrësit e tij. Ai akuzon qeverinë amerikane si përgjegjëse për vdekjen e tij, duke shprehur hidhërimin që nuk pati kohë të takonte familjarët përpara se të vdiste.  Ndërsa thoshte se i vjen turp që ishte shtetas amerikan.

Pas tij, xhihadisti me fytyrë të mbuluar, i cili dyshohet se është shtetas britanik, pasi flet anglisht me një theks londinez paralajmëron se një tjetër amerikan është në duart e tyre dhe do të ekzekutohet. Bëhet fjalë për korrespondentin e revistës “Tajm” Stiven Xhoel, i zhdukur në gusht të 2013-ës në Libi. Gjithçka sipas tij, varet nga vendimet e ardhëshme të Presidentit amerikan Barak Obama.

Nëna e reporterit amerikan përmes një mesazhi në “Facebook”, u bënë thirrje pengmarrësve, të kursejnë jetët e robërve të tjerë, ndërsa shprehën krenarinë për punën e djalit të tyre në Siri. Zyrtarët amerikanë, britanikë dhe francezë shprehën neveri për ekzekutimin çnjerëzor të reporterit amerikan.

James Foley, reporter lufte, që më parë kishte mbuluar ngjarjet në Afganistan e Libi, për media të ndryshme amerikane, u zu rob më 22 nëntor 2012 në verilindje të Sirisë, teksa realizonte reportazhe, për konfliktin mes forcave qeveritare siriane dhe atyre anti-Assad.

Më herët, Shteti Islamik kishte paralajmëruar se do të hakmerrej ndaj Shteteve të Bashkuara për sulmet ajrore, kundër objektivave të tyre në veri të Irakut, që ndihmuan në avancimin e militantëve kurdë dhe forcave qeveritare të Bagdadit drejt Mosulit.

Tv Klan