Izraeli bombadoi kryeqytetin e Libanit ku vrau komandantin e lartë e të Hezbollahut. Objektivi i këtyre sulmeve ishte komandanti i operacioneve të Hezbollahut, Ibrahim Aqil i cili u vra. Për Aqil ishte vendosur një shpërblim prej 7 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Ambasadës  amerikane në Bejrut në prill 1983 ku humbën jetën 63 persona.

Si pasojë e sulmeve të fundit në Bejrut kanë mbetur të vdekur 8 persona dhe u plagosën mbi 55 të tjerë. Sulmi në një prej periferive të Bejrutit solli shkatërrim të madh të ndërtesave civile, rrugët u përfshinë sërish nga kaosi ndërsa dhjetëra ambulanca nxituan në vendngjarje për të transportuar të plagosurit.

Mbrojtja civile e Libanit tha se ekipet e saj të shpëtimit po kërkojnë ende për personat e bllokuar nën rrënoja. Sulmi vjen si kundërpërgjigje ndaj një breshëri raketash të lëshuara nga Hezbollah drejt veriut të Izraelit. Në dy sulme të mëparshme Izraeli shpërtheu në distancë pajisjet komunikuese pagers dhe radio-marrëset e Hezbollahut duke vrarë 37 vetë dhe plagosur

I ndezur nga lufta e Gazës, konflikti është intensifikuar ndjeshëm këtë javë ndërsa nuk kanë munguar edhe thirrjet për depërshkallëzim të situatës.

Shtëpia e Bardhë dhe Britania e Madhe bënë thirrje për vetëpërmbajtje dhe kërkuan që palët të ulin tensionet për të shmangur një përshkallëzim të mundshëm në Lindjen e Mesme. Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hezbollahut. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron në një mesazh video tha se mbështet popullin e Libanit dhe kërkoi gjithashtu armëpushim të menjhëhershëm.

Klan News