Izraeli bombardoi sërish qendrën e Bejrutit mëngjesin e së enjtes, duke vrarë të paktën gjashtë persona dhe duke plagosur tetë të tjerë.

Dëshmitarët raportuan për një shpërthim masiv dhe se sulmi kishte në shënjestër një ndërtesë në lagjen Bachoura të Bejrutit qendror pranë Parlamentit. Në një deklaratë ushtria izraelite bëri të ditur se sulmet ajrore izraelite do të vazhdojnë dhe libanezët që kanë lënë shtëpitë e tyre në jug të vendit nuk duhet të kthehen. Rreth 1.2 milionë libanezë janë zhvendosur nga sulmet izraelite. 46 persona të tjerë u vranë dhe 85 u plagosën në sulmet izraelite në të gjithë Libanin në 24 orët e fundit.

Nga Këshilli i Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit, duke i thënë Këshillit të Sigurimit se sulmet vdekjeprurëse duhet të ndalen.

“Pikërisht një javë më parë, informova Këshillin e Sigurimit rreth situatës alarmante në Liban. Unë përsëri dënoj me forcë sulmet masive me raketa nga Irani ndaj Izraelit. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë numrin e jashtëzakonshëm të jetëve të humbura dhe shkelje sistematike të së drejtës ndërkombëtare humanitare.”

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mos kryejë sulme të tjera hakmarrëse, ndërsa u zotua se SHBA qëndron përkrah Izraelit. Ambasadorja e SHBA, Thomas-Greenfield tha se ngjarjet e javës së kaluar duhet të dërgojnë një mesazh të qartë për të gjitha palët në konflikt, dhe se e vetmja rrugë përpara është një marrëveshje armëpushimi.

Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit Irani e justifikoi sulmin e tij ndaj Izraelit si vetëmbrojtje, por ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, hodhi poshtë pretendimin pasi sipas tij sulmi me raketa në Izrael ishte një sulm për të goditur popullsinë civile, ndërsa të dyja palët paralajmëruan për kundërpërgjigje.

Klan News