#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

Suela gjen nënën biologjike pas 43 vitesh

Përlotet publiku: Ngel shtatzënë në burg, sëmuret rëndë dhe i marrin fëmijën…

Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, tek E Diela Shqiptare në Tv Klan është bërë Suela Cllini e cila ka treguar se është e birësuar dhe tani kërkon që të zbulojë për origjinën dhe prindërit e saj biologjikë. Moderatori Ardit Gjebrea së bashku me stafin e tij pas disa kërkimeve, ka gjetur familjen biologjike të Suelës. Ai ka treguar karvanin e vuajtjeve që nëna e babi i saj biologjik kanë kaluar, ku si pasojë  e këtyre vuajtjeve, Suela ka përfunduar në shtëpinë e fëmijës.

“Nga ajo që ne kemi arritur të zbulojmë ti ke ardhur në jetë nga një marrëdhënie e rregullt martesore. Nëna jote quhet Ilira. Në vitin 1975 babai juaj arrestohet dhe dënohet me 8 vite heqje lirie në burgun e Burrelit. Në atë kohë prindërit e tu të cilët jetonin në Tiranë kishin dy fëmijë dhe prisnin një të tretë. Ndaj nënës tënde u mor vendimi i internimit në një fshat të Tiranës, por meqenëse ishte shtatzënë, ekzekutimi i vendimit u shty për më vonë. 

Nëna jote lindi një vajzë e cila ndërroi jetë pas një viti. Nëna mundohet që të mbijetonte duke punuar për të rritur dy fëmijët e tjerë dhe herë pas here shkonte takonte bashkëshortin në burg, pra nuk e la. Në një nga këto takimet speciale, ngelet shtatzënë sërish. Në lagjen ku jetonte, filluan ta shikonin me një sy tjetër sepse e dinin që herët a vonë do të përfundonte përsëri në internim. Dikush në atë kohë inskenoi një sherr me nënën tënde dhe e denoncoi në polici gjoja sikur nëna jote e kishte kërcënuar dhe mamanë e ndaluan dhe e çuan në burgun e Elbasanit.

Shtatzëninë e kaloi në burg dhe në ditët kur do të të lindte ty, ishte shumë e sëmurë sa i rrezikohej dhe jeta. Në mëngjesin e ditës 24 Maj 1979 në maternitetin e Elbasanit lindi vajzën që e quajti Suela Dako. Për një javë nëna jote të ka ushqyer me gji derisa për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore e dërguan në Sanatoriumin e Tiranës, ku ndenji 6 muaj.

 Pas spitalit nuk mbaruan vuajtjet e saj. Për 5 vite ajo duhet të punonte si e internuar. Një fëmijë ia mbante e ëma, një tjetër vjehrra, një vajzë i kishte ndërruar jetë dhe ti që mbete në maternitet, më pas përfundove në shtëpinë e fëmijës. Që nga dita që të la në maternitet, ajo nuk të pa më kurrë. Mbaroi internimi, nëna jote u bashkua me fëmijët edhe me babin tënd që u lirua me amnisti dhe jetuan në Krastë të Martaneshit.

Lindën dhe dy fëmijë të tjerë. Pas ndryshimit të sistemit, nëna jote u largua familjarisht drejt Greqisë ku vazhdon të jetojë edhe sot”, ka rrëfyer Ardit Gjebrea.

E rritur jetime, mësuesi i fillores i ndryshon jetën Suelës: Në shkollë më distanconin…

Suela e cila ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare për të gjetur prindërit e saj biologjikë, tregon për jetën që ka bërë në shtëpinë e fëmijës dhe si i ndryshoi jeta kur një nga mësuesit e saj vuri re talentin që ajo kishte në muzikë.

Ardit Gjebrea: Ke pasur dy realitete të vështira edhe në familje edhe në shkollë sepse edhe në shkollë kam përshtypjen që ju mënjanonin.

Suela Cllini: Po mënjanoheshim nga të tjerët. Ishim të veshur njësoj në mos gaboj dhe kur dilnim dilnim grup, por kur shkonim në shkollë nga ndanin nëpër klasa dhe e shikonim veten të distancuar nga të tjerët. Të tjerët largoheshin kur na shikonin të tjerët me të njëjtën veshje.

Suela tregon se pasi mbaroi klasën e katërt, një mësues pa talentin e saj në muzikë, ishte mjaft e aftë t’i binte klarinetës.  Për një kohë shumë të shkurtër ajo e la klarinetën sepse të tjerët i thoshin që është një instrument që i bien vetëm çunat dhe jo gocat. Mësuesi i saj insistoi shumë dhe e çoi në Liceun Jordan Misja dhe kjo e bëri të ndihej mirë nga ana shpirtërore.

Adoptohet në moshën 10 vjeç, Suela mendon se ishin prindërit e saj biologjikë: Dita më e bukur…

Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek “E Diela Shqiptare”, ka qenë Suela e cila ka rrëfyer jetën e saj. Ajo që pas lindjes është çuar tek shtëpia e fëmijës dhe nuk i ka njohur kurrë prindërit e saj biologjikë. Në moshën 10 vjeç u birësua nga dy prindër të cilët deri në moshën 18 vjeç e gënjyen duke i thënë se janë prindërit e saj biologjikë.

Suela Cllini: U adoptova nga dy prindër të mrekullueshëm për mua, jam shumë mirënjohëse Zotit që më ka dhënë prindër si ata.

Ardit Gjebrea: Por ty nuk të thanë që moshën 10-vjeç që do adoptoheshe, por të thanë që po vjen mami dhe babi.

Suela Cllini: Kam qenë në shkollën Jordan Misja atë vit që jam adoptuar. Prindërit e mi kishin shumë kohë që po kërkonin një fëmijë.  Ish- nën drejtoresha i kishte thënë që tek shkolla e muzikës është një vajzë me emrin Suela dhe atë nuk e kërkon njeri. Do bëni shumë mirë ta merrni atë se nuk do ju krijojë probleme. Ashtu bënë, erdhën tek shkolla ime, po unë pa e ditur, ata u afruan, kishin marrë disa kuleçë dhe lëpirëse. Kishin ardhur vetëm për të më parë, dhe u afruan me justifikim për të më pyetur ku është shtëpia e filanit.

Pas disa kohësh më thërret drejtori i shtëpisë së fëmijës në zyrë dhe më tha do të të jap një lajm të gëzueshëm. Më tha që kanë ardhur prindërit e tu për të të marrë. Ngela pa fjalë, nisën rrahjet e forta të zemrës sepse e kisha ëndërr.

Ardit Gjebrea: A nuk i pyete ndonjëherë prindërit e tu që të adoptuan se ku ishin 10 vite.

Suela Cllini: Që në momentin që më ka thirrur drejtori në zyrë kam thënë po pse ku kanë qenë deri tani që nuk kanë ardhur për të më takuar? Drejtori tha që kanë pasur shumë probleme. Unë e kuptova këtë gjë dhe nuk pyeta më, as prindërit jo.

Kur kanë ardhur në fundjavë për të më takuar, ishte mami dhe babi dhe nusja e dajës me dajën. Unë nga gëzimi u drejtova nga nusja e dajës sepse e pashë më të re, por ajo më tha që mami është kjo tjetra. Përqafova mamin dhe babin që po vinte nga trotuari.

Kur më morën më kishin blerë një fustan vishnjë me kukulla që ishte shumë i bukur dhe më dukej vetja si në përralla. Ishte dita më e bukur e jetës sime dhe fillova të jetoja në Rrogozhinë.

Me lot në sy Suela: Nuk kam kërkuar prindërit biologjikë për shkak të prindërve që më adoptuan

Në rubrikën E Diela Shqiptare në Tv Klan, Suela 43 vjeç ka rrëfyer jetën e saj private. Ajo tregon se është e birësuar dhe pavarësisht dëshirës së madhe që ka patuar për të njohur prindërit biologjikë, ajo nuk i ka kërkuar deri më sot për shkak të prindërve që e kanë birësuar, pasi nuk dëshironte që t’i lëndonte.

Ardit GjebreaSi e kishe mbiemrin kur ishe në Lice?

Suela Cllini: Suela Dako dhe kur u birësova e kisha Suela Cllini. Kjo më bëri shumë përshtypje. Në moshën 18 vjeç më treguan të vërtetën, por ishte e kotë sepse unë e dija të vërtetën.

Ardit Gjebrea: Kur e kuptova që ishe e birësuar?       

Suela Cllini: Shenja e parë që më ka ardhur në mendje, ka qenë një valixhe. Kur adoptova kisha një valixhe timen që kisha shkruar emrin tim me dorën time dhe mbiemrin tim. Isha e aftë, të kuptoja që unë e kisha emrin Suela Dako dhe e kisha shumë të vështirë ta pranoja që e kisha Cllini. Lindën e dyshime të tjera. Unë dilja me mamin xhiro dhe ishin njerëzit që gjykonin dhe thoshin, Mine po kur e ke bërë këtë vajzë se ne nuk e dimë që ke pasur një vajzë. Unë e pyesja mamin pse thonë kështu, ajo më thoshte mos i dëgjo ato. Unë në të vërtetë e kuptoja sepse e dija që mbiemrin im ishte Dako.

Suela tregon se më pas ka marrë iniciativën për të kërkuar prindërit e saj biologjik, ka shkuar tek shtëpia e fëmijës dhe drejtoresha i tha që nuk ka asnjë informacion. Gjatë bisedës Suela preket dhe shprehet se arsyeja pse nuk i ka kërkuar prindërit e saj biologjikë, kanë qenë prindërit me të cilët ajo ka jetuar.

Suela Cllini: E vetmja gjë që më ka bërë që mos i kërkoj prindërit e mi biologjikë, kam menduar që mos ndihen keq ata edhe pse ndihesha keq për këtë gjë. Nuk kam dashur të lëndoj prindërit e mi që më adoptuan. I jam mirënjohëse gjithë jetës dhe falënderoj Zotin që janë ata prindër që më kanë mësuar të jem kjo që jam sot. 

Jetonte në jetimore, Suela: Më të mëdhenjtë na rrihnin me shapka nëse nuk i jepnim vezën

E ftuar në rubrikën “ Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare ka qenë Suela e cila kërkon prindërit e saj biologjikë. Ajo është adoptuar në moshën 10 vjeç dhe tani ka vendosur të kërkojë për prindërit që e kanë sjellë në jetë.

Suela Cllini: Unë jam fëmijë i adobtuar.

Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe u adoptove?

Suela Cllini: Jam adoptuar në moshën 10 vjeç në vitin 1990.  Jam rritur në brefotrofin e Vlorës. Që në lindje kam shkuar atje dhe deri në moshën 6-7 vjeç jam rritur aty. Në brefotrofin e Vlorës nga mosha 6-7 vjeç transferoheshim në vende të tjera si Shkodra, Tirana dhe më ka bërë shumë përshtypje kjo pjesë. Unë isha për t’u transferuar për në Shkodër dhe u ndërrua destinacioni, nga Shkodra shkova në Tiranë. Nuk e di për çfarë arsye. Ndoshta isha shumë e hedhur ose ndoshta ishte ndonjë lloj përkujdesje jashtë kësaj.  Shkova në Tiranë, aty fillova filloren deri në klasën e katërt.  Për mua ishte  shumë i vështirë viti i parë i ndërrimit sepse ishte sikur po filloja një jetë tjetër, me njerëz që nuk i njihja. Ika nga një edukatore që për mua quhej si prind.

Viti i parë ka qenë shumë i vështirë sepse në shtëpinë e fëmijës ishin edhe fëmijë më të mëdhenj se ne, ne ishim më të vegjël dhe duhet t’i bindeshim atyre. Hanim mëngjesin dhe ata kishin vezë të rrahur që bënte shkumë se ishin të mëdhenj dhe ishin të aftë ta bënin, kurse ne të vegjlit kishim vezë të zierë ose të skuqur.  Ata na kërkonin t’i jepnim vezën tonë dhe na i lyenin bukën me vezën e rrahur. Ne jo se nuk e kuptonim që ajo do na ngecte në fyt sepse shkriheshe në bukë, ne i jepnim vezën vetëm për t’ju bindur atyre sepse kishim frikë që në darkë do na rreshtonin  dhe do na… Ishin ato shapkat e kallçukut që ishin me rombe dhe duhet të nxirrnim duart përpara dhe na gjuanin me të, na dhembte shumë sepse qëllonin shumë fort. 

Tereza thërret “engjëllin” e saj

“Burri më merrte kartën e bankës e gjithë rrogën e linte bixhoz, ngelnim pa ngrënë…”

Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare në Tv Klan është bërë Tereza e cila tregon se ish-burrin e saj e ka njohur në moshën 18 vjeç dhe një vit pasi u njohën vendosën të fejoheshin. Ajo ka treguar se gjatë gjithë kohës kanë folur në telefon dhe nuk janë takuar të pinin kafe sepse në fshatin ku jetonin ata, kjo gjë nuk ishte normale.  Tereza tregon se e folura vetëm në telefon nuk mjafton për të njohur një person.

Familja e Terezës nuk ishin dakort për martesën e tyre, por pavarësisht kësaj ata u martuan.  Ajo pas martesës shkoi të jetonte me burrin në Burrel, ku e priste një realitet krejt ndryshe na sa e kishte menduar. Ai jetonte në varfëri, por gjëja që e ka zhgënjyer më shumë ishte se burri i saj luante bixhoz.

Tereza: I thashë të ikim me shtëpi në Durrës edhe pranoi. U vendosëm në Durrës me qira. Sapo vajtëm atje nuk kishte asnjë ndryshim. Aq më keq madje. Çdo Lekë që i vinte në dorë, bixhoz.

Ardit Gjebrea: Ishte i vetmi ves që kishte, apo kishte dhe të tjera?

Tereza: Nga fundi nisi dhe dhunën, po që nuk zgjati shumë sepse e lashë dhe ika.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë keni bashkë?

Tereza: Dy, djalë dhe vajzë.

Ardit Gjebrea: Po para në shtëpi jo ë?

Tereza: Asnjë gjë. Të gjitha vetë. Kam punuar në fabrikë këpucësh dhe në momentin që harroja ndonjëherë kartën e bankomatit , se nuk e kam lënë të tërheqë rrogën, e gjente, e tërhiqte rrogën dhe e linte të gjithë në bixhoz, pa paguar qira, pa paguar drita, pa ngrënë, pa pirë asnjë gjë. Me borxhe.

Tereza tregon se është përpjekur shumë të flasë me të dhe ta bindë, madje i është ulur dhe një gjunjë dhe ka qarë, por çdo gjë ka qenë e kotë.

Tereza tregon se prindërve nuk i ka treguar kurrë për problemet që ka pasur dhe gjithmonë i thoshte që është mirë. Dënonte veten sepse mendonte që e ka zgjedhur vetë pa marrë pëlqimin e prindërve dhe tani duhet t’i vuajë vetë pasojat

“Kam qëndruar 3 ditë pa ngrënë para se të lindte çuni, nuk kishim bukë në shtëpi”

Tereza e cila ka ardhur tek rubrika “ Ka një mesazh për ty” tek E Diela Shqiptare në Tv Klan, ka treguar historinë e trishtë që ka kaluar në jetën e saj. Ajo ka qenë e martuar me një burrë i cili nuk punonte dhe çdo Lekë që i binte në dorë e luante bixhoz. Kjo gjë ka bërë që ata të vuanin edhe për bukë. Kur ka qenë shtatzënë në fëmijën e dytë, Tereza tregon se 3 ditë deri në ditën e lindjes ajo nuk ka ngrënë asnjë gjë dhe nuk e dinte se a ishin dhimbjet e lindjes apo kishte probleme nga të ushqyerit. Tregon se ka shkuar në maternitet me urban dhe Lekët i ka marrë borxh nga një shoqe e saj.

Tereza: Në shtatzëninë e dytë kam qenë shumë keq. Kam kaluar periudhën më të keqe të jetës sime. Thoja si do rritet ky fëmijë. I kam lut Zotit të dështoj, o Zot më fal. Pasi e mora veten i thashë, të lutem, e nisi Zoti dhe këtë fëmijë, ktheju punës, ktheju jetës, ta rrisim mirë këtë fëmijë dhe vajzën. Ardit veç më keq u bë.  As nuk donte ta dinte se kishte fëmijë.  Për bukë kemi vuajtur, tre ditë para se ta lindja çunin. S’kam pasur bukë, domethënë 3 ditë pa ngrënë bukë. Kur më kanë ardhur dhimbjet e lindjes, nuk e dija se çfarë kisha. A kisha prej lindjes apo prej bukës. Kam ikur me urban në maternitet, edhe 1 mijë Lekshin e urbanit ia kam marrë një shoqeje.

Kam lindur të nesërmen në 5 të mëngjesit, kam marrë mamin në telefon, është nisur prej Puke dhe më ka sjellë për të ngrënë, i ka blerë gjërat që i nevojiteshin bebes. Nëse nuk do kishte ardhur ajo, nuk e di si do kisha dalë prej spitalit. Nuk kisha asnjë batanije ta mbështillja foshnjën.

Shikon videon e bërë virale, Eneida nga Amerika ndihmon Terezën dhe fëmijët me të holla

Pas ndarjes nga bashkëshorti, Tereza mori një shtëpi me qira në Shkodër e cila vazhdoi të jetonte me fëmijët e saj.  Shoqata SOS e ka ndihmuar me çerdhen dhe kopshtin e fëmijëve i ka kërkuar në 2019 më 8 Mars që të jepte një mesazh ku të shprehte energjinë, guximin, forcën për gratë të cilat janë të dhunuara nga burrat. Kjo video u bë virale dhe u përhap në rrjetet sociale. Falë kësaj video ajo njohu Eneidën e cila jeton në Amerikë.

Eneida është prekur nga video që ka parë dhe e ka kontaktuar në Facebook, ku i ka kërkuar numrin e telefonit që të flisnin më gjatë.

Tereza: Më thotë kam shumë dëshirë të të takoj a mundesh nesër? Unë i thashë pas pune sepse para nuk mundem. Kam shkuar ta takoj pas pune me dy fëmijët dhe kishte si dëshirë që të më jepte mua dhe fëmijëve disa të holla. Kam ngelur pa fjalë. Sot e asaj dite, më kujtoj ajo për 8 Mars, që unë nuk kam festuar kurrë 8 Mars, për Bajram, për fillim shkolle dhe çdo fund vit. Ajo na kujton çdo herë edhe pse është në Amerikë.

Ardit Gjebrea: Ju dhuron ndihma?

Tereza: Po. Kur jemi mbyllur në karantinë na ka dërguar gjithë ato ushqime, plus të hollave.

Ardit Gjebrea: Ajo ka ardhur nga Amerika?

Tereza: Po.

Ardit Gjebrea: Dhe ti dëshiron ta takosh këtu?

Tereza: Normal.

Eneida: Shumë shqiptarë në Amerikë e bëjnë paketën vetëm për të Dielën Shqiptare.

Eneida pasi shikon që mbrapa ekranit është Tereza, përlotet dhe shprehet se duhet bërë zemra më e madhe për të ndihmuar të tjerët që janë në nevojë. Përderisa ajo ka një jetë të mirë dhe të lumtur, pse mos ndihmojë dikë tjetër që t’i rregullohet jeta.