“Ata që vandalizuan mbrëmë Tiranën nuk janë demokratët e vërtetë”, ka qenë ky reagimi i kryebashkiakut Erion Veliaj një ditë pas protestës së opozitës. Gjatë një takim me fermerët e qarkut, kryebashkiaku Veliaj tha se të gjithë punonjësit ishin në gatishmëri për ta rikthyer kryeqytetin në normalitet, për të mos u dukur asnjë shenjë tërbimi, siç e quajti ai.

“Tirana duket normale sot, por mbrëmë nuk ishte e tillë, pasi kaloi një valë shkatërrimi të paprecedentë, të cilën nuk ia kanë bërë as pushtuesit. Dua të falënderoj, së pari të gjithë ata që ishin në rreshtin e parë për të kufizuar dëmin dhe pastaj, për të rikuperuar dëmet. I falënderoj nga zemra sepse në kohë rekord e rikthyen qytetin në normalitet, aq sa sot nuk dukej asnjë shenjë prej tërbimit të djeshëm. Them tërbimit sepse nuk besoj se ata janë demokratët. Përkundrazi, ata nuk përfaqësojnë demokratët!. Ata që ishin dje nuk janë demokratët e vërtetë. Demokratët e vërtetë e duan Shqipërinë si gjithë Evropa dhe Tiranën, gjithmonë e më shumë, e shohin si gjithë Evropa”.

Veliaj u ndal edhe tek rasti i qytetares, e cila u detyrua të lindte ne makinë për shkak të protestës.

“Vajzës së vogël, që lindi dje në trafik, i kërkoj ndjesë! I kërkoj ndjesë sepse Tirana nuk i mirëpret kështu fëmijët. Tirana i mirëpret me çekun e bebes, me shportën e të sapolindurit, i pret në mënyrë shumë më dinjitoze se sa dje. Falenderoj të gjithë ata që, teksa sot në mëngjes fillojmë jetën në normalitet, mbrëmë e gdhinë bashkë me mua, për t’u siguruar që Tirana i kthehet rutinës. Ato prona që u vandalizuan nuk janë as të Edi Ramës, as të kryetarit të bashkisë, as të përfaqësuesve politikë; janë të qytetit, janë pronë e përbashkët, bëhen me taksat e të gjithëve, rregullohen nga fondi dhe buxheti i të gjithëve”.

Sipas Kryebashkiakut, për shkak të protestës fondet e bashkisë po përdoren për riparimin e dëmeve të protestës dhe po shkurtohen për ato sektorë mjaft të rëndësishëm siç është bujqësia.

Tv Klan