Diferenca në moshë e në karakter ka qenë një hendek mes Lindës, më të voglës së një familjeje me 9 fëmijë dhe Ikbales, e cila është më e madhja. Por mes emocionesh që ndodhin vetëm në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Linda tregoi se si një kthesë e papritur i dha një shans të dytë të jetës dhe marrëdhënies me motrën e saj të madhe. Ndaj, Ikbalja është thirrur nga Linda në rubrikën e njohur të “E diela shqiptare” në Tv Klan për të marrë mesazhin e saj.

Linda: Iu tregova sa shumë më ke shërbyer, jo vetëm pas aksidentit por dhe në vazhdim kur më more për t’u trajtuar dhe përkujdesur sepse vdekja e Ijes solli një tjetër boshllëk, jo vetëm për mua, të gjithë e kemi vuajtur. Unë të jam falënderuese, nuk e di se çfarë mund të bëj unë më për ty kështu që trego çfarë del që të bën të jesh kaq vitale dhe e gjindshme për ne të gjithë sepse i ke shërbyer të gjithëve.

Ardit Gjebrea: Edhe gjatë kohës së pandemisë ti nuk përtove në asnjë moment, por shkove kudo ku kishte nevojë çdo pacient për të kaluar vështirësitë që po kalonte një pandemi, që nuk e njihnim.

Ikbale: Sepse Ardit, ky zanat që më dha im atë, që është atje lart e po më dëgjon, kur kam dalë në profesion, vetëm dy llafe më ka thënë: “Bali, po të trokasë njeri te dera, njëherë t’i bjerë derës, do thuash erdha”. Unë sa të kem mend e këmbë nuk kam për t’iu ndarë njerëzve për t’iu bërë ndere./tvklan.al

Ka një mesazh për ty – Pengu i nënës 90 vjeçare (20 Mars 2022)

Suzana dhe Irma janë motra që kanë ardhur nga anembanë botës vetëm për të uruar nënën e tyre, Diturinë në këtë 90-vjetor të sajin dhe për t’i dhënë një premtim. Më herët, në “Ka Një Mesazh Për Ty”, vajzat rrëfyen historinë e dhimbshme të familjes së tyre, ndërsa tashmë meraku i vetëm që kanë është mamaja dhe motra invalide. Suzana, e cila jeton në Amerikë, dëshiron t’i marrë të dyja me vete për të jetuar me të, ndaj dhe ka peshën më të madhe për t’i bërë kërkesën publikisht në “E diela shqiptare”në Tv Klan.

Ardit Gjebrea: Cili është meraku i mamasë?

Suzana: Motra.

Irma: Edhe mua ma ka thënë sepse unë isha ajo që i bëra dokumentat tani për vizën dhe më thoshte që “i doli viza, por jo në azile do përfundojë”. Ne prandaj kemi ardhur më shumë, t’i urojmë ditëlindjen, por dhe t’i premtojmë publikisht.

Ardit Gjebrea: Ka ditëlindjen mamaja?

Irma: Po.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç mbush?

Irma: Bën 90 vjeç.

Suzana: Unë dua t’i kërkoj që, se ajo thotë “nuk vij më me ty” dhe unë e di që ajo mbush 90 vjeç dhe për të është e vështirë të udhëtojë e të vijë me mua në Amerikë, por tani do marr motrën dhe nuk dua ta lë atë vetëm, dua që të vijë me mua dhe t’i premtoj, se e ka merak, thotë “e kam varrin te babi” se e ka lënë vendin atje dhe do i premtoj që kur të vijë dita të ikë nga kjo botë, unë do ta sjell, amanetin nuk e tret dheu./tvklan.al