Çrregullimet hormonale, përveç ndihmës mjekësore, kanë nisur të gjejnë zgjidhje edhe me atë që njihet si “mjekësia holistike”. Kjo përfshin të qenurit të vëmendshëm ndaj të ngrënit, kujdesi me ushqimin, praktikat e frymëmarrjes apo të ushtrimeve fizike. Teksa shpjegon të gjitha këto në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Ajda Angjeli, e cila është trajnere shëndeti, ndalet edhe te konsumi i kafesë. Shpesh perceptohet se pija që na zgjon në mëngjes mund të ketë efekt të kundërt te personat me probleme hormonale, por çelësi qëndron te koha kur konsumohet.

Ajda Angjeli: Unë personalisht e konsumoj kafenë, konsumoj kafenë turke një herë në ditë.

Katerina Trungu: Arsyeja, pse jo ekspres,por turke apo thjesht për shijen?

Ajda Angjeli: Është shija, e ndiej vetë që nuk kam ato hopet e mëdha që kafeja ekspres të jep shumë energji për rreth një orë, pastaj sikur bie niveli i energjisë, të paktën në trupin tim. E kam studiuar dhe kam kuptuar që më jep pak më shumë siklet.  Kurse kafeja turke është më tonizuese, më e butë, më e qetë.

Nuk do thoja që të eliminohet kafeja. Natyrisht ka shumë njerëz që pinë shumë kafe gjatë ditës dhe kafeja nxit prodhimin e hormonit të kortizolit, i cili është hormoni i stresit dhe në femra të cilat kanë problematika hormonale dhe vetë kortizolin e kanë në nivele të larta, nëse gjëja e parë që ti bën kur ngrihesh në mëngjes, është merr një gotë kafe që të marrësh energji dhe të vazhdosh ditën, është shumë e gabuar. Në periudhën e mëngjesit, sapo zgjohemi, niveli i kortizolit në organizëm është në pikun e vet, në maksimum, shto edhe kafenë, i jep një dozë akoma më të fuqishme dhe natyrisht që kjo nuk bën mirë sepse kortizoli pastaj jep shumë sinjale të tjera për prodhimin e hormoneve të tjera që nuk funksionojnë siç duhet.  

Ajo që duhet të bëjmë lidhur me kafenë, është që ta konsumojmë rreth 1-2 orë pasi jemi zgjuar nga gjumi. Mundësisht të zgjohemi, të bëjmë pak, po themi një frymëmarrje, një frymënxjerrje, pak ushtrime të lehta në mëngjes, pastaj të hamë një mëngjes të balancuar që duhet të jetë tipik për probleme hormonale dhe pastaj të pimë kafe./tvklan.al