Autoritetet italiane kanë kapur një gomone në Foggia që transportonte 900 kilogramë marijuanë me vlerë 8 milionë Euro.

Gomonia u sekuestrua mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 gjatë një aksioni të përbashkët të Guardia di Finanza, Policisë Shqiptare dhe asaj malazeze.

Mësohet se janë arrestuar dy trafikantë që ndodheshin në bordin e gomones. Ata janë dy shqiptarë nga Vlora, me iniciale K.B. 52 vjeç dhe B.A. 39 vjeç, me precedent të mëparshëm penal.

Pasi vunë re se po ndiqeshin nga policia, trafikantët bënë manovra të rrezikshme në det dhe hodhën lëndën narkotike për t’iu larguar autoriteteve. Më pas braktisën gomonen në breg të detit dhe tentuan të fshiheshin brenda një kompleksi vilash aty pranë.

Tentativa e tyre dështoi pasi u arrestuan në flagrancë nga Guarda Di Finanza. Policia italiane sekuestroi edhe 55 pakot me kanabis që ishin hedhur në det nga trafikantët gjatë ndjekjes.

Policia italiane thotë se gomonia e përdorur për këtë trafik ndërkombëtare droge është gomone oqeanike 8 metra e gjatë. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe grupit të Guarda Di Finanza të stacionuar në Durrës.

/tvklan.al